Vendosni fjalën kyçe....

Plagosje me armë për parkimin e një automjeti, dy të arrestuar, dy në kërkim


Një 28-vjeçar u plagos me armë zjarri pas një konflikti për parkimin e një automjeti në fshatin Hamallaj, Durrës. Ngjarja nisi me sende të forta dhe më pas u përdor armë zjarri, që dyshohet se ishte mbajtur pa leje. Viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia arrestoi në flagrancë Alfons Lekgegaj, 37 vjeç, dhe Armen Sabliqi, 18 vjeç, ndërsa shpalli në kërkim Altin Lekgegaj, 44 vjeç, dhe Serxho Lekgegaj, 21 vjeç. Gjatë kontrollit u sekuestruan dy thika dhe sende të forta që u përdorën gjatë konfliktit.

Njoftimi:

Durrës

Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në Hamallaj, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar, gjatë një konflikti me sende të forta e më pas me armë zjarri, për parkimin e një automjeti.

Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë.

Sekuestrohen dy armë të ftohta (thika) dhe prova shkencore që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së ngjarjes.

Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Hamallaj, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Alfons Lekgegaj 37 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Armen Sabliqi 18 vjeç, banues në Borakë, Shijak, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:

Altin Lekgegaj, 44 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Serxho Lekgegaj., 21 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në fshatin Hamallë Sektor, Njësia Sukth, Durrës, në zonën e bregut të detit Adriatik, shtetasi A. L., 37 vjeç, në bashkëpunim me vëllanë e tij A. L., 44 vjeç, si dhe nipin e tij S. L., pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin L. R., që lidhej me parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit të A. L., 37 vjeç, konflikt i cili fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas duke përdorur armë zjarri që e mbante pa leje, ka tentuar të vrasë shtetasin L. R., 28 vjeç, banues në Kolesjan, Kukës.

Nga të shtënat, 28-vjeçari ka pësuar dëmtime shëndetësore dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën sende të forta si bishta druri të përdorur në konflikt.

Në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit të arrestuar A. S., u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale dy thika, të cilat ai i mbante pa leje.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e të dyshuarve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.