Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç premton përgjigje të ashpër ndaj protestuesve pas trazirave


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi të dielën masa të ashpra kundër protestuesve antiqeveritarë pas ditëve të trazirave në rrugët e Serbisë që kanë sfiduar sundimin e tij gjithnjë e më autokratik në vendin ballkanik.

Mijëra njerëz sfiduan kërcënimin e Vuçiçit për një goditje dhe protestuan më vonë të dielën në qytete të ndryshme serbe, përfshirë kryeqytetin Beograd. Duke thirrur “Arrestoni Vuçiçin”, protestuesit kërkuan që të gjithë të ndaluarit në ditët e kaluara të lirohen. Nuk u raportuan incidente.

Në një nga fjalimet e tij të shpeshta televizive drejtuar publikut, Vuçiç akuzoi demonstruesit antiqeveritarë për “terrorizëm të pastër” dhe përsëriti pretendimet e tij se muaj të tërë protestash të vazhdueshme kundër sundimit të tij janë orkestruar në Perëndim dhe kanë synuar shkatërrimin e Serbisë.

“Vendi ynë është në rrezik të madh, ata kanë rrezikuar të gjitha vlerat tona, jetën normale, çdo individ”, tha Vuçiç, duke pretenduar një skemë të përpunuar që përfundimisht do instalonte autoritete “anarko-majtiste” në të ardhmen. Ai nuk ofroi asnjë provë konkrete për pretendimet e tij.

“Nëse nuk ndërmarrim hapa më të ashpra, është çështje ditësh kur ata protestuesit do vrasin dikë”, tha Vuçiç.

Paralajmërimet e ashpra erdhën pas pesë netësh radhazi përleshjesh midis protestuesve nga njëra anë dhe policisë dhe besnikëve të Vuçiç nga ana tjetër. Protestuesit e zemëruar të shtunën në mbrëmje dogjën zyrat e Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit në një qytet në Serbinë perëndimore dhe të aleatëve të tjerë të koalicionit qeverisës.