Vendosni fjalën kyçe....

Spanja përballet me disa nga zjarret më shkatërrimtare në dekada



Spanja po vazhdon luftën me disa zjarre të mëdha pyjore në një nga sezonet më shkatërrimtare të dekadave të fundit, pavarësisht se temperaturat në Gadishullin Iberik kanë rënë, përcjell REL.

Mijëra zjarrfikës, të ndihmuar nga ushtarë dhe avionë cisternë, janë angazhuar për shuarjen e flakëve që kanë përfshirë pyjet, veçanërisht në veriperëndim të vendit. Agjencia meteorologjike AEMET raportoi se rajoni i Galicisë mbetet në rrezik “shumë të lartë ose ekstrem” për zjarre.

Zjarret në Galici kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke shkatërruar qytete të vogla dhe duke detyruar banorët që shpesh të ndërhyjnë vetë, para se të mbërrinin njësitë zjarrfikëse. Për të përballuar situatën, në veri të Spanjës kanë mbërritur edhe forca zjarrfikëse nga Gjermania, bëri të ditur Ministria e Brendshme.

Një tjetër vatër e madhe aktive u regjistrua në Jarilla, rajoni Extremadura, kufi me Portugalinë, ku u dërguan mbi 20 automjete zjarrfikëse.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, vizitoi zonat e prekura dhe deklaroi se vala e nxehtësisë së ditëve të fundit ka ushqyer përhapjen e flakëve. Sipas autoriteteve, temperaturat ranë me rreth 4 gradë pas një vale të nxehti 16-ditore, ku termometri në disa zona shkoi mbi 40°C.

Zjarret këtë vit në Spanjë kanë shkaktuar katër viktima dhe kanë djegur mbi 382 mijë hektarë, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret Pyjore (EFFIS). Situata ka ndikuar edhe në cilësinë e ajrit, e cila është përkeqësuar ndjeshëm në disa rajone, ndërsa tymi është përhapur deri në Francë, Britani dhe Skandinavi.

Policia spanjolle ka arrestuar 23 persona nën akuzën për zjarrvënie të qëllimshme dhe po heton edhe 89 të tjerë. Shumë nga zjarret, sipas autoriteteve, janë shkaktuar nga veprimtaria e njeriut.

Sipas të dhënave të agjencisë Copernicus, Evropa është ngrohur dy herë më shpejt se mesatarja globale që nga vitet ’80. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po shtojnë frekuencën dhe intensitetin e valëve të të nxehtit dhe thatësirave, duke e bërë kontinentin gjithnjë e më të cenueshëm ndaj zjarreve.