
34 vatra zjarri janë regjistruar në vend 24 orët e fundit, nga të cilat 5 mbeten aktive.
Për mbajtjen nën kontroll të flakëve janë përfshirë shërbimet zjarrfikëse, punonjës të bashkive, ushtarë dhe helikopterë.
“Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 34 vatra zjarri nga të cilat 5 mbeten aktive.
Në Bulqizë, në fshatin Tërnovë, disa vatra janë vënë nën kontroll, por problematike mbeten ato në “Maja e Shkëmbit” dhe drejt Valikardhës e Peladhisë. Intensiteti i flakëve është mesatar, ndërkohë që në operacion janë angazhuar 8 efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, 8 forca bashkiake dhe 8 forca të Shërbimi Pyjor, ndërsa në mbështetje kanë shkuar edhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura dhe helikopteri i Forcës Ajrore.
Në Fushë Arrëz, zjarri i nisur në fshatin Xeth u përhap në disa të tjerë (Kulumri, Trun dhe Kunorë-Dardhë), por falë ndërhyrjes tokësore dhe ajrore me dy helikopterë, situata u vu nën kontroll gjatë natës. Situata, e ndikuar edhe nga reshjet e shiut që përfshinë zonën, është vënë nën kontroll dhe po mbahet nën monitorim.
Në Pezë Helmës të Tiranës, zjarri u përhap me shpejtësi dhe doli jashtë kontrollit, por ndërhyrja nga ajri e helikopterit të Emirateve të Bashkuara Arabe ndihmoi në uljen e intensitetit. Ditën e sotme raportohet se vatra e zjarrit ka intensitet të ulët.
Në Gramsh, disa vatra në fshatrat Kullollas, Kodovjat dhe Ermenj u riaktivizuan, por u neutralizuan me ndërhyrje në terren, ndërsa në “Teqenë e Dushkut” zjarri po izolohet. Aktive është vatra në Malin e Koshnicës, e cila po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor dhe banorë të zones.
Në Mirditë, në fshatin Rreja e Zezë, u arrit izolimi i plotë i zjarrit, duke shmangur rrezikun e përhapjes. Ndërkohë, në Parkun Natyror të Gërmenjit në Kolonjë, zjarri vijon aktiv në disa vatra, të vështirësuar edhe nga shpërthimet e municioneve të mbetura nga lufta italo-greke, megjithëse aktualisht nuk ka përhapje të mëtejshme.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 690 forca operacionale, të mbështetura nga 110 trupa të Forcave të Armatosura me 2 mjete zjarrfikëse. Gjithashtu u angazhuan 2 helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe 1 helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.”