
Nga Olsi Bakalli
Nëse do ta përkufizonim menaxhimin e zjarreve në Shqipëri si një model ekonomik, do dilte një miks i çuditshëm mes “dorës së padukshme” që nuk shfaqet kurrë kur duhet, “dorës së gjatë” të centralizimit dhe një tregu shërbimesh emergjente ku çmimi paguhet pas zjarrit. Dhe po, ndërsa peizazhi digjet kryesisht nga pakujdesia, lidhjet e shkurtwra dhe instalimet amatore, ne vijojmë ta trajtojmë zjarrin si “akt të natyrës”, sepse natyra ka faj më pak se burokracia.
Arkitektura institucionale është teorikisht e qartë: Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) është brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe mban rolin e koordinimit kombëtar sipas ligjit 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”. Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) është funksion vendor, i rregulluar nga ligji 152/2015, me standard minimal 1 zjarrfikës për 1 500–2 000 banorë dhe me stacione minimale prej 14 punonjësish. Me fjalë të tjera: qeverisje me dy nivele, përgjegjësi të ndara, përgjegjës përpara qytetarëve të gjithë e askush. Kjo është letra. Në praktikë, AKMC ndez sinjalet, bashkitë dalin me autobotin që ka kapakun me tel, ministritë bëjnë status në rrjete.
Buxheti? Ka dy shina parash. Shina e parë është sektori i Mbrojtjes, i cili në 2025 shkon rreth 52.7 miliardë lekë (rreth 2% e PBB), ku një pjesë mbështet edhe kapacitetet e mbrojtjes civile (logjistikë, helikopterë, ndërhyrje). Shina e dytë është transferta sektoriale për zjarrfikësit tek bashkitë: në 2024 ishte 1.546 miliardë lekë; në 2025 u rrit në rreth 2.11 miliardë lekë (rreth 21 milionë euro). Për një vend me 61 bashki dhe risk të përvitshëm, kjo është më shumë “ndihmë xhepi” sesa investim strukturor; mjafton të pyesësh drejtuesit vendorë se sa kohë i zë të ndreqin një pompë uji.
Efikasiteti operacional? Raporti i fundit i qeverisjes vendore evidenton se mesatarja kombëtare është rreth 0.8 zjarrfikës për 1 500 banorë – nën standardin ligjor – me vetëm 70 stacione aktive në rang vendi. Kjo do të thotë se në shumë bashki kodi “1 zjarrfikës për 1 500–2 000 banorë” lexohet si “1 zjarrfikës që bën për 2 000 banorë dhe 3 funksione”. Për më tepër, 33 nga 61 bashkitë nuk kishin plane menaxhimi pyjor në 2024; çuditërisht, flota jonë urbane pretendet të shuajë edhe zjarre në terren të egër, pa kamerë termike dhe pa logjistikë për hyrje të thella. Po kërkojmë rezultate Hayek-iane nga struktura që funksionon sipas manualit sovjetik.
Të dhënat e riskut flasin vetë. 2024 u mbyll me rreth 164–168 zjarre masive dhe mbi 46 mijë hektarë të djegura, vlerë më e lartë që prej 2012. Në 2025, vala e të nxehtit e ka rikthyer ciklin rajonal: vetëm prej fillimit të korrikut janë raportuar dhjetëra mijëra hektarë të djegura, ndërsa strukturat kombëtare kanë kërkuar dhe marrë aktivizime Copernicus/Union Civil Protection Mechanism (përfshi Rapid Mapping dhe asistencë ajrore) – sinjal i qartë se kapaciteti vendas është i tendosur. Po, ka edhe arrestime për zjarrvënie e pakujdesi – mbi 20 raste të raportuara këto javë – por “penali” nuk ngre presionin e ujit në pompat e stërvjetruara.
Në qytetin ku jetoj, jashtë Shqipërisë, ka një fakt që ia vlen të përmendet si shembull pozitiv i vlerësimit institucional: ndër të gjithë titullarët dhe drejtuesit e strukturave në varësinë e bashkisë, personi me pagën më të lartë është një zjarrfikës. Jo drejtori i financave, jo kreu i urbanistikës, jo menaxheri i transportit publik, por një profesionist i frontit të parë të emergjencave, i cili përballet çdo ditë me situata që për pjesën më të madhe të qytetarëve mbeten thjesht lajme në kronikë. Dhe kjo nuk është as rastësi, as anomali: është një politikë e vetëdijshme që e sheh sigurinë publike jo si një kosto buxhetore, por si një investim të domosdoshëm. Në një realitet ku pjesa dërrmuese e zjarreve lidhet jo me fatkeqësi natyrore, por me pakujdesi njerëzore apo defekte të rrjeteve elektrike, ky lloj shpërblimi është një mesazh i qartë se shoqëria e kupton vlerën e atyre që shkojnë të parët drejt flakëve, jo të fundit.
Por le të dalim nga retorika dhe të vëmë lapsin mbi numra. Nëse 2.11 miliardë lekë në 2025 shpërndahen me formulë mes 61 bashkive, flasim për rreth 34–35 milionë lekë/bashki mesatarisht, para që duhen të mbulojnë paga, karburant, pjesë këmbimi, uniforma, trajnime dhe – në shumë raste – rikonstruksionin e një flote të vjetër. Një autobot i ri 6–8 mijë litra kushton sa buxheti i gjysmës së vitit të një stacioni të vogël; një dron termal nuk është më “luks”, por instrument kosto–efikas për zbulim të hershëm në zonat kodrinore me shtigje private dhe linja elektrike që vrapojnë pa standard. A nuk është koha të dalim nga ekonomia e arnuar e emergjencës dhe të hyjmë në ekonominë e investimit parandalues?
Krahasimi rajonal s’e lë pavend këtë tezë. 2025 është vit zjarresh të përshkallëzuara në të gjithë Mesdheun Jugor dhe Ballkanin Perëndimor; vendet fqinje po aktivizojnë rregullisht Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së dhe Copernicus, ndërsa Greqia e Italia mbështeten në flotën rescEU për ndërhyrje ajrore. Shqipëria, me terren të thyer dhe me shpërndarje të rrallë stacionesh, ka nevojë faktike për ndërhyrje ndërkufitare dhe përgatitje të tipit “host nation support”. Ky nuk është turp, është realizëm; turpi është të pretendosh se do ta mbash zjarrin nën kontroll me një radiostacion të lagur.
Po zjarret urbane dhe “private”? Pikërisht aty bie maska e “natyrës”. Shumica e ngjarjeve që vërshojnë kronikat lokale lidhen me pakujdesi, ngarkesa elektrike, instalime artizanale, magazina pa standard zjarrmbrojtës, hotele e shtëpi pushimi me kapacitete rreziku pa audit. Këtu politika publike është më e lirë dhe më e mençur se autoboti: licencim dhe rikualifikim i detyrueshëm i elektricistëve; kolaudim periodik i instalimeve në objekte me risk; sigurime të detyrueshme zjarr–risk për biznese mbi një prag x; gjoba progresive për moszbatim; dixhitalizim i inspektimeve me gjurmë timestamp. Nuk ka asgjë heroike, vetëm ekonomia bazike e incentivave.
Në vijim, tri nyje operacionale që duan zhbllokim, jo retorikë:
Së pari, planifikimi financiar shumëvjeçar. Transferta sektoriale është oksigjen, por oksigjeni pa mushkëri nuk bën punë. Bashkitë kanë nevojë për një kornizë investimesh kapitale 3–5 vjeçare të kushtëzuara me indikatorë: raport zjarrfikës/banor, minuta mesatare përgjigjeje, përqindje zjarresh të izoluara në fazën e parë. Buxhetet vjetore “qep e shqep” janë arsyeja pse çdo verë zë vend i njëjti lajm.
Së dyti, teknologjia e zbulimit të hershëm. Dronë termal të integruar me një qendër dispeçerimi rajonale, sensorë tymi të lidhur në kantierë e zona kampingu, dhe një numër i kufizuar njësish të lehta 4×4 me pajisje “initial attack” për terrene ku autoboti është thjesht dekor. Kostoja? Krahasoni çmimin e një droni profesional me faturën e një nate operacion ajror me helikopter të marrë hua nga fqinjët. Çfarë preferon një financier publik me sens?
Së treti, kapitali njerëzor. Shqipëria ka në letër standard të qartë, por në praktikë mesatarja nën–normë krijon një “kredit crunch” të sigurisë publike: me pak njerëz, orët jashtë norme bëhen normë; me paga të pabarabarta, rotacioni rritet. Zgjidhja nuk është vetëm “rritje rroge”, por kontratë e re shërbimi: turne të planifikuar në bazë rreziku sezonal, bonuse të lidhura me certifikim profesional, bursë kombëtare për kualifikim teknik (hidraulikë presioni, elektricistë industrialë, operatorë dronësh) dhe një kornizë tërheqëse sigurimesh. Kjo kushton? Po, por edhe zjarri i një magazinë–superstrukture kushton – dhe zakonisht e paguajmë dy herë: një herë me dëm, një herë me politikë.
Ndërkohë, katër pyetje publike që ia vlen t’u përgjigjemi pa retorikë:
A duhet që shërbimi zjarrfikës të mbetet i fragmentuar në 61 bashki kur risku nuk respekton kufij administrativë? Një model me komanda rajonale operative (qarku) do të përdorte më mirë flotën dhe personelin.
A është koha për një fond të dedikuar për parandalim dhe teknologji, i rimbushur me gjoba inteligjente nga shkeljet e standardeve elektrike dhe sigurimit të detyrueshëm? Është politikisht e vështirë, por ekonomikisht e drejtë.
A duhet të kushtëzohet leja e funksionimit e çdo biznesi me risk (hotele, magazina, punishte) me certifikatë elektrike vjetore të lëshuar nga operatorë të licencuar dhe të audituar në mënyrë të pavarur?
A ka kuptim të presim ndërhyrjen ajrore të fqinjëve sa herë terreni ynë bëhet i pakalueshëm? Pse të mos blihet minimalisht një kapacitet i përbashkët rescEU–style në nivel rajonal (p.sh. me Malin e Zi e Kosovën) me kthim investimi të matshëm në vite?
Në fund, logjika ekonomike e zjarreve “jo të natyrës” është e trishtë: kosto private të ulëta për shkelësin, kosto publike të larta për komunitetin. Kjo quhet eksternalitet negativ. Mjeti? Regullim dhe çmim – gjobë, sigurim, dhe inspektim – plus investim në kapacitete që e bëjnë përgjigjen të shpejtë sa një klikim, jo sa një mbledhje. Sot ne garojmë kundër zjarrit me këpucë baleti; duhen atlete zjarri, jo duartrokitje.