
Të paktën 30 vatra aktive zjarri janë regjistruar mbrëmë në mbarë vendin, me situatën më kritike në Gramsh, ku flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, kanë shkrumbuar 7 fshatra.
Banorët janë evakuuar për të shmangur viktima, ndërsa zjarrfikësit dhe forcat ajrore kanë ndërhyrë gjatë gjithë natës për izolimin e zjarrit.
Ministria e Mbrojtjes ka dërguar drejt Gramshit 165 pako me rezerva shtetërore, mbi 120 krevatë dhe çadra për strehimin e banorëve të prekur.

Situata alarmante është raportuar edhe në fshatin Lekël të Tepelenës, ku flakët kanë shkatërruar banesa, pyje dhe kultura bujqësore.
Mes dëmeve është edhe kisha ortodokse “Shën Ilia”, monument kulture i kategorisë II, e ndërtuar në vitet 1800, e cila është shkatërruar plotësisht.
Rrezikun e kanë shtuar shpërthimet e dy bombave të Luftës së Dytë Botërore, të aktivizuara nga nxehtësia e flakëve, duke detyruar evakuimin urgjent të banorëve në Lekël dhe Hormovë.

Në Gramsh, zjarret kanë përfshirë fshatrat Skënderbegas, Kullollas, Bletëz, Sojnik, Mukaj dhe Kukur, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe rrezik për jetën e banorëve.
Një nga humbjet më të rënda është djegia e teqes së Shemberdhenjës, ku dyshohet se një person ka mbetur i bllokuar brenda.
Zjarret e djeshme shkaktuan 8 të lënduar dhe një viktimë në Gramsh.
Të plagosurit, me djegie të lehta dhe të mesme, po marrin ndihmë mjekësore, ndërsa disa banorë ende mbeten të bllokuar për shkak të flakëve dhe tymit të dendur.
Stadiumi i qytetit është shndërruar në pikë pritjeje për helikopterët e emergjencave që transportojnë të lënduarit drejt Tiranës.
Forcat e Armatosura dhe Mbrojtja Civile kanë ndërhyrë me trupa dhe helikopterë për izolimin e vatrave, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje urgjente për evakuimin e banorëve të Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.

Në Poliçan, situata ka dalë jashtë kontrollit në njësinë administrative Terpan, duke kërcënuar djegien e fshatrave dhe zonave të Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”.
Banorët e Vokopolës, Zhapokikës, Plashnikut dhe Panaritit janë urdhëruar të largohen menjëherë.

Situata pranë Syrin e Kaltër mbetet kritike, ku era favorizon përhapjen e flakëve. Dy helikopterë po punojnë për shuarjen e vatrave, ndërsa bletarët e zonës raportojnë dëme të mëdha, me rreth 40 koshere të djegura dhe rrezik për mbi 100 të tjera.

Deputeti Belind Këlliçi reagoi, duke e cilësuar situatën si dështim të shtetit për mbrojtjen e qytetarëve.
Ai paralajmëroi se me nisjen e sesionit parlamentar prioritet do të jetë adresimi i kësaj katastrofe dhe nxjerrja e përgjegjësive.
Deputeti Tritan Shehu ngriti alarmin për fshatin Hormovë, i rrethuar pothuajse nga flakët, të cilat po tentojnë të përhapen drejt fshatrave të tjerë të Tepelenës dhe Gjirokastrës.

Në Delvinë, qyteti është përfshirë nga flakët gjatë mbrëmjes së djeshme, duke shkaktuar panik te banorët.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka raportuar se lagjet Llakë dhe Xhetmahall janë në zjarr dhe ka dëgjuar shpërthime granatash, duke akuzuar autoritetet për mungesë ndërhyrjeje nga ajri gjatë paradites.
Berisha thekson në postimin e tij:
“Delvina në flakë!
Delvina po përjeton tmerr! Po digjen lagjja Llakë dhe Xhetmahall. Ka shpërthime granatash! Nuk pati asnjë ndërhyrje nga ajri për ta parandaluar paradite!”
Dhjetë fshatra në Gramsh, përfshirë Kullollas, Kodovjat dhe Shemberdhenje, janë përfshirë nga flakët, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke detyruar evakuimin e rreth 200 banorëve.
Autoritetet kanë angazhuar helikopterë, zjarrfikës, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe vullnetarë për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të siguruar evakuimin e banorëve. Banorët e evakuuar janë sistemuar në hotele dhe palestra, ku po marrin ndihma ushqimore dhe materiale.
Ministria e Mbrojtjes garanton koordinim të plotë me pushtetin vendor dhe planifikon vlerësimin e dëmeve dhe rindërtimin e zonës sapo situata të normalizohet. Apelohet për kujdes maksimal dhe solidaritet kombëtar për të mbështetur familjet e prekura.
Përgatitit për Hashtag.al, Aurora Hoxha