Vendosni fjalën kyçe....

Irfan Hysenbelliu: News24 nuk mbyllet, e vërteta nuk zhduket


Botuesi i “Focus Group”, Irfan Hysenbelliu, ka dënuar ashpër veprimet që ai i cilëson si të paligjshme dhe të paprecedenta ndaj mediave të grupit, përfshirë News24, Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Gazeta Shqiptare Online.

Sipas tij, pa asnjë paralajmërim apo urdhër gjykate, forca të shumta policie dhe ushtrie kanë bllokuar hyrjen në ambientet e televizionit, kanë ndërprerë sinjalin e transmetimit dhe kanë penguar punën e gazetarëve e stafit teknik.

Hysenbelliu theksoi se persona civilë, me automjete të paidentifikuara, janë futur në redaksi dhe kanë marrë dokumente konfidenciale e materiale hetimore mbi korrupsionin, duke rrezikuar edhe jetën e gazetarëve. 

Duke u bërë thirrje gazetarëve të mos dorëzohen, Hysenbelliu u kërkoi institucioneve shtetërore të ndalin menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e News24 dhe të respektojnë ligjin. Ai falënderoi stafin, organizatat e medias dhe qytetarët për solidaritetin e treguar.

DEKLARATË PËR SHTYP E BOTUESIT TE “FOCUS GROUP”, IRFAN HYSENBELLIU

Tiranë, 12 Gusht 2025

Si botues i “Focus Group”, i News24,  Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport, Panorama Online dhe  Gazeta Shqiptare Online dënoj me forcë të gjitha veprimet e rënda, të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme që janë ndërmarrë ndaj Grupit tonë mediatik.

Sot, pa asnjë paralajmërim, pa urdhër gjykate dhe pa asnjë bazë ligjore të justifikuar, forca të shumta të policisë dhe ushtrisë kanë bllokuar hyrjen në ambientet e televizionit, kanë ndërprerë me forcë sinjalin e transmetimit dhe kanë ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në punën e gazetarëve tanë dhe stafit teknik.

Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal dhe  përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar. Në mënyrë të fshehtë, civilë me automjete të paidentifikuara janë futur në ambientet tona dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin.

Këto materiale janë rezultat i një pune të ndershme, të rrezikshme dhe të palodhur nga gazetarët tanë – dhe tani, përveç dëmit moral, po rrezikohet realisht edhe jeta e tyre.

Ky është një paralajmërim i qartë dhe i rrezikshëm për çdo media që guxon të hetojë dhe të flasë dhe të publikojë të vërtetën.

Ju drejtohem të gjithë punonjësve të News24 dhe grupit mediatik “Panorama”: Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet – dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë.

News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket.

Ju bëj thirrje institucioneve të shtetit: Të ndalojnë menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e televizionit, të lejojnë gazetarët të kthehen në vendin e tyre të punës dhe të respektojnë ligjin dhe parimet e shtetit të së drejtës.

I falënderoj përzemërsisht gazetarët tanë, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias, partnerët tanë dhe qytetarët që po tregojnë solidaritet në këtë moment kritik.

News24 do vazhdoje te jete dritarja e së vërtetës, misioni ynë do vazhdojë!

Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të tërhiqemi.