Vendosni fjalën kyçe....

Fshatrat në Gramsh përfshihen nga flakët – Humb jetën nga asfiksia 80 vjeçari, dyshohet se ndezi zjarrin


Gramshi po përjeton një situatë të rëndë emergjence pas zjarreve masive që kanë përfshirë disa fshatra, duke shkaktuar viktimën e parë dhe dëme të mëdha.

Një 80-vjeçar nga fshati Kullollas humbi jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi, pasi dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e banesës së tij.

Flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në disa fshatra të tjerë, duke shkaktuar një katastrofë lokale.

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.

Dy fshatra, Kullollas dhe Bletëz, janë djegur plotësisht, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve edhe në Menkollarë.

evakuohen banoret zjarr tirane

Administratori i njësisë Skënderbegas, Arif Feimi, konfirmoi se zjarri ka përfshirë katër fshatra dhe situata është “shumë, shumë e rëndë”.

Për shuarjen e flakëve po punojnë forcat zjarrfikëse, Mbrojtja Civile, Forcat e Armatosura dhe dy helikopterë Cougar, por përparimi i shpejtë i zjarrit dhe terreni i vështirë e bëjnë operacionin tepër të ndërlikuar.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ndodhen në terren.

Flakët kanë shkrumbuar gjithashtu edhe Teqenë e Shemberdhenjes.

Autoritetet vendore dhe kryetarët e njësive administrative kanë bërë thirrje për mobilizim të menjëhershëm të burimeve shtesë nga qeveria dhe strukturat qendrore, për të shmangur thellimin e tragjedisë.

Paralelisht, vendi përballet me 19 vatra aktive zjarri, mes tyre situata kritike në Finiq, Fushë Arrëz, Tiranë, Tepelenë dhe disa zona malore të mbrojtura.

Mbi 1,000 forca dhe dhjetëra mjete zjarrfikëse, të mbështetura nga avionë dhe helikopterë vendas e të huaj, janë angazhuar në operacione.

Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron rrezik të lartë dhe shumë të lartë për zjarre në disa qarqe, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 41°C.