Vendosni fjalën kyçe....

AGSH i drejtohet Komunitetit Ndërkombëtar: Sulmi ndaj News24, precedent i rrezikshëm për lirinë e medias



Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së Policisë së Shtetit në ambientet e Focus Media Group më 9 gusht, duke e cilësuar si “sulm të paprecedentë ndaj medias” dhe “kërcënim serioz për lirinë e shprehjes”.

Sipas AGSH, forcat e policisë, në bashkëpunim me punonjës të KAYO të drejtuar nga Ardi Veliu, kanë fikur pajisjet e transmetimit të News24 dhe kanë nxjerrë jashtë gazetarët, duke e lënë televizionin jashtë transmetimit që prej mëngjesit të së premtes.

Në një letër drejtuar institucioneve ndërkombëtare, organizatave të medias dhe përfaqësive diplomatike, AGSH thekson se gjatë ndërhyrjes:

  • u ndërpre energjia elektrike duke bllokuar transmetimin;

  • gazetarëve iu ndalua hyrja në redaksi;

  • u pezullua puna dhe u ndërpre aksesimi i publikut në përmbajtje.

Organizata kërkon heqjen e menjëhershme të bllokadës, rikthimin e kushteve të plota të punës për gazetarët dhe publikimin e bazës ligjore që justifikon veprimin.

AGSH paralajmëron se raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, si mbyllja e AgonChannel dhe RTV Ora, dhe se “çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë dhe të drejtave themelore të njeriut”.