Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarët denoncojnë rrethimin e News24 si sulm ndaj lirisë së medias


Një valë reagimesh të forta ka përfshirë komunitetin gazetaresk në Shqipëri pas rrethimit dhe bllokimit të televizionit News24 nga Policia e Shtetit, e shoqëruar edhe me ndërprerjen e sinjalit të transmetimit. Gazetarët kanë cilësuar këtë veprim si një akt të paprecedent kundër lirisë së medias, duke denoncuar mungesën e transparencës, censurën dhe një sulm të hapur ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Isa Myzyraj, theksoi se ngjarjet në News24 do të pasqyrohen në raportet ndërkombëtare, duke e vështirësuar më tej rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Ai njoftoi organizatat europiane dhe globale për këtë goditje ndaj demokracisë dhe lirisë së medias.

Gazetarë të njohur si Anila Hoxha, Artan Hoxha, Osman Stafa dhe Klodiana Lala u bashkuan në denoncimin e ndërhyrjes së policisë, duke theksuar se ky veprim është më shumë se censurë është diktaturë dhe shkelje e thellë e të drejtave kushtetuese për informim. Ata kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të këtij aksioni dhe garantimin e lirë të punës së mediave.

Gazetari Isa Myzyraj si kreu i AGSH ka njoftuar organizatat europiane dhe globale për këtë goditje ndaj lirisë së medias dhe demokracisë në vend.

Reagimi:

Sot rruga e Shqipërisë drejt BE është bërë më e vështirë dhe më e largët. Raportet ndërkombëtare përfshirë ProgresRaportin do të shënojnë me shkronja kapitale atë që po ndodh në News24.

Ndërkohë në cilësinë e kreut të AGSH kam informuar të gjitha organizatat europiane dhe globale për plagosjen e demokracisë duke mbyllur sinjalin e medias informative më të madhe në vend.

Gazetarja e kronikës, Anila Hoxha  iu bashkua reagimeve pas ndërprerjes së punës së News24 nga Policia e Shtetit, që ndërpreu sinjalin dhe ndaloi hyrjen e gazetarëve në redaksi. 

Reagimi:
Porosita kafen e mëngjesit si përditë.
Hodha sytë nga muri, aty ku ekrani i madh i News 24 tregon orën 07. 36, sipas castit kur u ndërhy nga shteti duke lënë pezull aty punën e dhjetra gazetarëve.

Po protestoj – tha pronari i lokalit. Sipas menyrës time. Pa gazetarë qoftë e ngrirë koha – mu duk se mallkoi më tej !
Desha ta përqafoja.

Gazetari Artan Hoxha iu është bashkuar reagimeve në lidhje me situatën që po ndodh pranë televizionit News24, ku policia ka zbarkuar dhe ka bllokuar në mënyrë të paprecedentë godinën. Ai thekson se ky veprim ishte paralajmëruar prej një viti dhe u shty vetëm nga fushata elektorale, duke cituar kërcënimin e udhëheqësit për veprime më të ashpra në të ardhmen.

Reagimi:
Policia prej orës 07:00 rrethon ambjentet e televizionit më të madh informativ në vend News24, si dhe redaksitë e Balkanweb, gazetës Panorama e Gazeta Shqiptare duke bllokuar hyrjen e gazetarëve në redaksi.
Policia kërkon lirimin e ambienteve ku ndodhet
Tv News24 dhe largimin e gazetarëve prej aty.
Ky veprim ishte paralajmëruar prej afro një viti, por fushata elektorale duket se e shtyu ekzekutimin e tij nga qeveria.
E ka thënë me kohë udhëheqësi:
“Dale se nuk keni parë gjë akoma”.

Gazetari i News24, Osman Stafa, denoncoi rrethimin e televizionit nga policia në orët e para të mëngjesit, ku u ndalua hyrja e rreth 200 punonjësve të medias dhe u fik energjia dhe sinjali televiziv. Ai theksoi se kjo nuk është më mungesë transparence apo censurë, por një akt i hapur diktature ndaj lirisë së fjalës.

Reagimi:

Sot në orën 6 të mëngjesit, një numër i madh policësh ka rrethuar televizionin News24, ku ndodhen edhe redaksitë e Gazetës Panorama, Balkanweb, Gazeta Shqiptare. Ata kanë nxjerrë nga ndërtesa çdo punonjës që ndodhej aty. Kanë fikur energjinë dhe sinjalin. Dhe prej atij momenti nuk kanë lejuar asnjë punonjës të medias të hyjë në godinë.

Gazetarë, operatorë, montazhier, teknikë, punonjës të administratës, (rreth 200 punonjës), nuk janë lejuar sot të shkojnë në vendet e tyre të punës.

Nuk janë lejuar as të transmetojnë këtë që po ndodh aktualisht.

Kjo nuk është më mungesë transparence.

Kjo nuk është më vrasje e fjalës së lirë.

Kjo nuk është më as censurë.

Kjo është DIKTATURË.

Gazetarja Klodiana Lala denoncon rrethimin e godinës së News24 nga policia, ndërprerjen pa paralajmërim të sinjalit të transmetimit dhe pengimin e punonjësve të medias të hyjnë në vendet e tyre të punës. Ajo e cilëson këtë si sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit dhe të drejtës kushtetuese për informim, duke bërë thirrje për reagim urgjent nga partitë politike, shoqëria civile dhe ambasadat për të ndaluar këtë veprim dhe për të garantuar rikthimin e transmetimit.

Reagimi:

Policia ka rrethuar kete mengjes godinën e News24, duke ndërprerë me forcë dhe pa asnjë paralajmërim sinjalin e transmetimit, në një akt të paprecedent ndaj medias së lirë. Punonjësit janë penguar të hyjnë në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët janë privuar nga kanali më i madh dhe më i besueshëm informativ në vend. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtës kushtetuese për informim dhe ndaj lirisë së shtypit, që përbën themelin e çdo demokracie. Ngjarja e sotme shënon një precedent të rrezikshëm për shuarjen e zërave kritikë dhe vendosjen e kontrollit mbi informacionin publik.

Bëjmë thirrje urgjente partive politike, shoqërisë civile, organizatave të medias dhe ambasadave të huaja në Tiranë të reagojnë menjëherë dhe të ndalin këtë veprim të dhunshëm, duke garantuar rikthimin pa vonesë të transmetimit dhe respektimin e plotë të fjalës së lirë.

Çdo minutë heshtjeje e imponuar ndaj medias është një plagë e hapur për demokracinë.

Gazetari i Fax News, Fatjon Gjonaj, denoncon rrethimin e News24 nga Ardi Veliu dhe ish-policia e tij, duke e cilësuar veprimin si shkatërrim të dinjitetit të qindra profesionistëve të medias. Ai pranon ekzistencën e një vendimi gjyqësor, por thekson se mënyra e zbatimit është e papranueshme dhe legjitimon një krim ndaj

Reagimi:

Nuk bëhet fjalë për zhurmë, por për mënyrën se si është ndërtuar ky vend dhe me mënyrën se si po shkatërrohet. Sot Ardi Veliu me ish-policinë e tij rrethoi Televizionin Informativ News 24, ku kanë zyrat përkatëse Balkanweb, Gazeta Shqiptare etj. Po, ka një vendim gjyqësor, siç ka patur gjithnjë kur shteti e pushteti kanë dashur të shembin modele e ndërtojnë shëmti. Pa u ndaluar në asnjë historik, kjo që po ndodh është një shëmti dhe cënim dinjiteti për qindra profesionist e staf të medias. Këto ditë, e di propaganda do bëjë të sajën, por shteti e pushteti po legjitimojnë një krim!

Pranë kolegëve të News 24!

Shoqata e Gazetarëve Europianë – Dega Shqipëri dënon me forcë rrethimin e godinës së News24, duke e cilësuar këtë veprim si një goditje direkte ndaj lirisë së medias në Shqipëri.

Organizata kërkon transparencë nga autoritetet dhe rivlerësim të pronësisë së ndërtesës, duke theksuar se liria e medias është detyrim kushtetues dhe standard europian, jo dëshirë politike. 

Reagimi:
Shoqata e Gazetarëve Europianë – Dega Shqipëri shpreh shqetësim të thellë dhe dënon rrethimin e godinës së televizionit “News 24”, si një veprim që prek dhe cënon direkt lirinë e medias në Shqipëri. Ky veprim i shoqëruar edhe pa transparencën e duhur, është i papranueshëm!
Liria e medias nuk është privilegj, por detyrim kushtetues dhe standard europian.
Ne i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse sidomos Këshillit të Ministrave që të japin sqarim publik mbi rrethanat e këtij veprimi dhe revokimin e pronësisë me herët nga Bashkia Tiranë te shoqëria KAYO dhe a janë ezauruar të gjitha hallkat ligjore?!
Qartazi pa transparencën e duhur ky është veprim represiv ndaj medias News 24, Balkanëeb dhe gazeta Panorama por ka një impakt tejet negativ ndaj medias në tërësi.
Liria e medias është detyrim që buron nga Kushtetuta dhe nga standardet europiane jo nga dëshirat e politikës apo aktorëve të tjerë.
Shoqata e Gazetarëve Europianë – Dega Shqipëri mbetet e angazhuar për të mbrojtur çdo gazetar dhe redaksi nga çdo formë presioni apo intimidimi, duke punuar për një mjedis ku fjala e lirë të jetë e garantuar për të gjithë. Për situatën e krijuar do të informohen dhe institucionet Europiane të medias.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjes dhe bllokimit që Policia ka ushtruar ndaj mediave News24, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe Balkanweb. Ky veprim konsiderohet si një shkelje e rëndë e lirisë së medias dhe parimeve themelore të demokracisë, pasi ka ndaluar gazetarët të ushtrojnë profesionin e tyre, duke cenuar Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

AGSH kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të këtij aksioni, rikthimin e lirë të punës së mediave dhe garantimin e plotë të lirisë së shprehjes. Në këtë kuadër, i bën thirrje institucioneve shtetërore dhe organizatave ndërkombëtare të monitorojnë nga afër situatën dhe të reagojnë për të parandaluar çdo formë dhune apo censurë ndaj mediave.

Reagimi:

1.Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i alarmuar për ngjarjen ku Policia ka Bllokuar zyrat e News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Ky veprim i alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ndërhyrja e policisë, pengojnë drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon nga institucionet shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion, të garantojnë aksesin e gazetarëve në ambientet e punës dhe të respektojnë standardet demokratike për lirinë e medias.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes të monitorojnë nga afër këtë situatë dhe të reagojnë publikisht.
I bëjmë thirrje institucioneve që çdo konflikt me televizionet private të zgjidhet me mirëkuptim dhe jo me forcë.

2.REAGIM VIJUES MBI GJENDJEN ALARMUESE NË NEWS 24, BALKANWEB DHE GAZETËN SHQIPTARE E PANORAMA

AGSH u informua me detaje  këtë mëngjes për rrethimin e mediave kryesore në vend, News 24, Balkanweb, Panorama e Gazeta Shqiptare nga forcat e policisë.
Rezulton se:
Policia dhe autoritet shtetërore nuk kanë paralajmëruar mediat për një ndërhyrje të tillë, duke mos ju dhënë kohë administratorëve të marrin masat e duhura.
Për rrjedhojë, transmetimi është ndërprerë.
Kjo ndërhyrje agresive e autoriteteve qeveritare ka bllokuar trasmetimin dhe punën e një ekipi prej 200 punonjësish të medias.
Konflikti për pronën ku operojnë këto media, vjen në kushtet e një klime përplasëse, mes qeverisë dhe pronarëve të këtyre mediave.
Ka dyshime të arsyeshme për hakmarrje ndaj këtyre mediave për shkak të politikës editoriale.
NË KËTO KUSHTE, AGSH BËN THIRRJE:
1. Policia të largohet menjëherë dhe të lejojë gazetarët dhe ekipin mediatik të vijojnë transmetimet.
2. Të garantohet menjëherë liria e shprehjes dhe e ushtrimit të funksioneve të të gjithë gazetarëve të kësaj Redaksie.
3. Palët kontraktuese të godinës në fjalë të ulen menjëherë në një negociatë të sinqertë e të ndershme për të gjetur një zgjidhje, e cila në çdo rast duhet të garantojë një tranzicion të butë e pa shkëputur misionin e medias në shërbim të publikut.
Pamjet e sotme përpara tre mediave, i ngjajnë klimës mediatike në Rusi, dhe ky nuk është modeli për të cilin ne  punojmë si shoqëri..

Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha