
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sot lidhur me protestën e zhvilluar në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Tribunalin e Hagës, përfshirë edhe ish-presidentin Hashim Thaçi. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka vënë në pah heshtjen e Kuvendit të Kosovës dhe mungesën e një rezolute të përbashkët që të dënojë shkeljet në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës,” shkruan Rama, duke shtuar se të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së “janë shqelmuar si hiçasgjë”.
Ai deklaroi se nëse Kuvendi i Kosovës do të miratonte një rezolutë të tillë, Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhej menjëherë për të votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë atë në çdo shtet demokratik që mbështet financiarisht Tribunalin.
Postimi i Ramës u shoqërua me një foto nga protesta e së enjtes në Prishtinë, ku mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin Skënderbeu në mbështetje të të paraburgosurve në Hagë. Flamuj të Shqipërisë, Kosovës dhe UÇK-së dominuan atmosferën, ndërsa në protestë morën pjesë edhe figura të njohura si Ali Ahmeti dhe Nevenka Tromp, ish-hulumtuese e Tribunalit të Hagës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzat për krime lufte. Gjykimi i tyre nisi më 3 prill 2023, ndërsa së fundmi Dhomat e Specializuara të Kosovës vendosën të zgjasin edhe një herë masën e paraburgimit ndaj tyre.