
OpenAI ka prezantuar modelin e saj më të fundit të inteligjencës artificiale, GPT-5, duke e cilësuar atë si një “hap të rëndësishëm përpara” drejt inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI), por ka pranuar se modeli i ri nuk ka arritur ende të përmbushë të gjitha kushtet për të zëvendësuar inteligjencën njerëzore, përcjell Guardian.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Sam Altman, deklaroi se GPT-5 përfaqëson një përmirësim domethënës krahasuar me versionet e mëparshme, veçanërisht në fushat e kodimit dhe shkrimit krijues, si dhe është “shumë më pak servil” në komunikim. Sipas tij, modeli është “gjeneralisht inteligjent”, por ende nuk përbën një AGI të mirëfilltë. “Ende mungojnë shumë gjëra të rëndësishme,” tha Altman, duke përmendur si mangësi kryesore paaftësinë e modelit për të mësuar vazhdimisht gjatë përdorimit.
GPT-5 është vënë në dispozicion për të gjithë 700 milion përdoruesit javorë të ChatGPT, megjithëse me kufizime për versionin falas. Përdoruesit e planit “Pro” me çmim 200 dollarë në muaj do të kenë akses të pakufizuar.
Gjatë ngjarjes së lançimit, Altman e krahasoi versionin e ri me “një ekspert me doktoraturë në xhep”, ndërsa versionet më të hershme i quajti si të ngjashme me një student kolegji apo gjimnazi. Ndërkohë, shefi i ChatGPT, Nick Turley, tha se GPT-5 tregon “përmirësime të ndjeshme në shmangien e servilizmit të tepruar”, një problem që ishte vërejtur më parë.
Sipas OpenAI, përmirësimet kryesore përfshijnë:
Më pak gabime faktike (hallucinacione)
Kodim më i avancuar për krijimin e aplikacioneve dhe faqeve të internetit
Aftësi më të mira në shkrimin krijues dhe më pak tekst “robotik”
Qasje më fleksibël ndaj kërkesave të ndaluara, me përpjekje për të dhënë ndihmë brenda kufijve të sigurisë, ose për të shpjeguar pse nuk mund të ndihmojë
Ndërveprim me emailin, kalendarin dhe kontaktet e përdoruesit, nëse i jepet leje
Gjithashtu, GPT-5 mund të përpunojë dhe gjenerojë tekst, zë dhe imazhe në mënyrë të integruar. Në një demonstrim, OpenAI tregoi se modeli i ri mund të shkruajë qindra rreshta kodi në pak sekonda dhe të krijojë mjete edukative si një platformë për të mësuar frëngjishten.
Në fushën e kujdesit shëndetësor, Altman solli në skenë një grua e cila tregoi se si ChatGPT e ndihmoi të vendoste nëse duhej të merrte terapi me rrezatim pas një diagnoze me kancer. Megjithatë, kompania theksoi se modeli nuk është një zëvendësim për ndihmën profesionale, sidomos për individët me gjendje të ndjeshme mendore.
Prezantimi i GPT-5 vjen në një moment kur gjigandët e teknologjisë po garojnë për të arritur AGI-në. Google, Meta dhe kompani si Anthropic kanë paraqitur gjithashtu modele dhe ide që synojnë tejkalimin e inteligjencës njerëzore. Dario Amodei nga Anthropic paralajmëroi se teknologjia mund të zëvendësojë deri në gjysmën e punonjësve të zyrave në nivel fillestar brenda pesë viteve të ardhshme.
Ndërkohë, besimi i investitorëve në potencialin e AI-së ka rritur ndjeshëm vlerën e kompanive si OpenAI. Sipas raportimeve, kompania është në bisedime të hershme për shitjen e aksioneve të punonjësve aktualë dhe të mëparshëm, që mund ta çojë vlerën e saj në 500 miliardë dollarë, duke tejkaluar edhe SpaceX-in e Elon Musk.
OpenAI konfirmoi gjithashtu se këtë javë ka lëshuar dy modele të hapura dhe se përveç versionit falas të ChatGPT, të ardhurat kryesore të saj vijnë nga abonimet dhe integrimet e teknologjisë në sistemet e biznesit.