Vendosni fjalën kyçe....

Forcat Ajrore të SHBA-së do të largojnë ushtarakët transgjinorë pa përfitime pensioni


Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë njoftuar se do të largojnë nga shërbimi të gjithë anëtarët transgjinorë me përvojë 15 deri në 18 vjet, pa iu dhënë mundësinë e daljes së parakohshme në pension dhe pa përfitime pensioni, përcjell AP.

Vendimi ka ngjallur zemërim dhe ndjenjë tradhtie mes pjesëtarëve të prekur. Një rreshter i Forcave Ajrore u shpreh për mediat amerikane se ndihet “i tradhtuar dhe i shkatërruar” nga ky veprim.

Sipas një zëdhënësi të Forcave Ajrore, rreth një duzinë anëtarësh ishin njoftuar më herët në mënyrë të parakohshme se do të kishin mundësi të dalin në pension, por ky vendim është tërhequr.

Zyrtari, që foli në kushte anonimiteti për agjencinë Associated Press, tha se edhe pse ishte dhënë mundësia për të kërkuar përjashtime nga politika, asnjë nga këto kërkesa nuk u pranua. Në një dokument të brendshëm, politika e re u përshkrua si vendim i marrë “pas një shqyrtimi të kujdesshëm të çdo aplikimi individual”.

Ky veprim është pjesë e zbatimit të politikës së administratës Trump, e cila ndalon shumicën e personave transgjinorë të shërbejnë në ushtri. Si rezultat, të gjithë anëtarët transgjinorë të Forcave Ajrore po përballen me përjashtim nga shërbimi aktiv, pa të drejtë pensioni të parakohshëm.

Organizatat për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ e kanë cilësuar këtë vendim si diskriminues dhe të padrejtë, duke paralajmëruar se përbën një kthim prapa në drejtim të barazisë dhe të drejtave në shërbimin ushtarak amerikan.