
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe drejtues lokalë për shkelje të rënda të Kodit Zgjedhor gjatë fushatës elektorale të 11 majit, duke i cilësuar veprimet e tyre si “propagandë me fonde publike në kundërshtim me ligjin”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha është ndalur veçanërisht te Bashkia e Durrësit dhe ajo e Beratit, duke përmendur me emra kryebashkiaken Emirjana Sako dhe ish-kryebashkiakun Ervin Demo.
Duke iu referuar Sakos, Berisha u shpreh: “Ajo është Vangjush Dako me pantallona. Në kulmin e fushatës elektorale, vazhdoi të zhvillojë aktivitete publike duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe duke abuzuar me postin e saj.”
Ai përmendi disa raste të cilat sipas tij përbëjnë prova të kësaj shkeljeje: “Më 17 janar prezantimi i infrastrukturës së re për varrezat në Durrës, më 20 janar shpallja për përfundimin e punimeve në rrugën ‘Bletaj’ në Rrashbull, dhe më 27 janar promovimi i shëtitores së plazhit, një projekt që është promovuar për herë të 15-të”, tha Berisha.
Ai vijoi më tej duke e quajtur veprimtarinë e Bashkisë Durrës si “të shfrenuar dhe pa asnjë ndalesë në shkeljen e ligjit”, dhe e akuzoi Sakon se ka ndjekur të njëjtën qasje si paraardhësit e saj socialistë.
Berisha nuk kurseu as ish-kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demo, duke pretenduar se ky i fundit përdori në mënyrë të hapur projekte publike për qëllime elektorale.
“Më 21 janar u promovua ndërtimi i urës në Bilçë, më 22 janar ndërtimi i urës në Lapardha me ndihmën e ushtrisë, më 29 janar pastrimi i kanaleve kulluese në Velebish dhe më 30 janar prezantimi i infrastrukturës turistike Vodicë–Qafë Dardhë. Të gjitha këto janë aktivitete elektorale të maskuara si veprimtari institucionale”, theksoi ai.
Sipas liderit të opozitës, këto veprime janë pjesë e një fushate të politizimit të administratës dhe të përfshirjes së ushtrisë në proceset elektorale.
“Ky, Ervin Demo, meriton heqjen e menjëhershme të mandatit kallp që ka marrë duke mashtruar qytetarët”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe disa ministra të kabinetit të tij për përfshirje direkte në promovime publike gjatë periudhës kur ligji ndalon një gjë të tillë, duke e cilësuar si “një farsë elektorale të orkestruar nga vetë kreu i qeverisë për të manipuluar votuesit”.