Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr masiv në Patos, digjen 4 hektarë pyll me pisha në Gjinoqar


Rreth 4 hektarë pyll me pisha janë përfshirë nga flakët në zonën e Gjinoqarit në Patos, ku zjarri është përhapur me shpejtësi brenda pak orëve. Sipas kryeplakut të fshatit, Nuri Gllava, masivi pyjor nuk është pastruar prej më shumë se 50 vitesh, gjë që e bën të pamundur ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse në pjesën më të madhe të terrenit.

Në vendngjarje ndodhen katër mjete zjarrfikëse, punonjës të bashkisë dhe banorë të zonës, të cilët po përpiqen të përballojnë flakët me mjete rrethanore. Era e fortë po përshpejton përhapjen e zjarrit në disa drejtime, duke rrezikuar edhe zonat e banuara përreth.

Dy automjete zjarrfikëse do të qëndrojnë në gatishmëri gjatë natës për të monitoruar situatën, ndërsa për nesër parashikohet ndërhyrje nga ajri për të vënë nën kontroll flakët.

Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për ndërhyrje urgjente për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës dhe një katastrofë të mundshme mjedisore.