
Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për vendosjen e një tarife shtesë prej 25% ndaj Indisë, për shkak të blerjeve të saj të naftës nga Rusia. Tarifa e re do të hyjë në fuqi pas 21 ditësh dhe do të “shtohet” mbi një tarifë ekzistuese prej 25% ndaj këtij vendi.
Duke vepruar kështu, Trump po përmbush një paralajmërim për vendosjen e tarifave më të larta ndaj Indisë, të cilën e ka akuzuar për financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Ata po ushqejnë makinën e luftës,” deklaroi ai në një intervistë për CNBC, përcjell Finance.Yahoo.
Ndërkohë, Kina po kundërshton SHBA-në në lidhje me çipet, pavarësisht një armëpushimi të përkohshëm tregtar e tarifor, sipas një raporti të Bloomberg të publikuar të mërkurën.
Pekini thirri javën e kaluar përfaqësuesit e Nvidia (NVDA), duke përmendur rreziqe të mundshme sigurie të lidhura me çipet H20, në një përpjekje për të sfiduar planet e Uashingtonit për të monitoruar tregun e gjysmëpërçuesve.
Trump tha të martën se do të shpallë tarifa për importet e gjysmëpërçuesve dhe të produkteve farmaceutike “brenda javës ose pak më vonë”, ndërsa përgatitet të vendosë tarifa të reja sipas sektorëve të veçantë.
Ai shtoi se këto tarifa mund të arrijnë deri në 250%.
Ndër masat e tjera të fundit tregtare:
Trump ka nënshkruar urdhër për rritjen e tarifave ndaj Kanadasë në 35%, ndërsa ka vendosur tarifa që variojnë nga 10% deri në 40% për dhjetëra partnerë të tjerë tregtarë, të cilat do të hyjnë plotësisht në fuqi këtë javë.
Meksika, partneri më i madh tregtar i SHBA-së, ka marrë një shtyrje 90-ditore nga tarifat më të larta.
SHBA ka arritur marrëveshje tregtare me Korenë e Jugut, e cila përfshin një normë tarife 15% ndaj importeve nga Koreja, ndërsa eksportet amerikane nuk do të tarifohen.
Tarifa 50% për produktet gjysmë të përpunuara të bakrit ka hyrë në fuqi më 1 gusht.
U anulua përjashtimi “de minimis” për importet me vlerë më të ulët se 800 dollarë – tarifat do të aplikohen nga 29 gushti.
Trump nënshkroi gjithashtu një urdhër për tarifë totale 50% ndaj shumë produkteve nga Brazili, përjashtuar importet kyçe amerikane si lëngu i portokallit dhe pjesët e avionëve që përfitojnë nga kompania Embraer (ERJ).
SHBA dhe BE kanë rënë dakord për një marrëveshje tregtare që vendos tarifa 15% ndaj mallrave evropiane, ndërsa detajet e tjera të marrëveshjes janë ende në negociim.
Këto zhvillime përbëjnë një fazë të re agresive të politikës tregtare të Trump, ndërsa bota përgatitet për një valë të re tarifash që mund të ndikojnë rëndë tregtinë globale.