Vendosni fjalën kyçe....

Kina përballet me krizë popullsie, të rinjtë refuzojnë të bëhen prindër


Zane Li ishte vetëm 9 vjeç kur familja e tij në një qytet të vogël në Kinën lindore u përball me borxhe të mëdha, pasi prindërit sollën në jetë fëmijën e tyre të dytë, një motër të vogël për të.

Në atë kohë, politika strikte e Kinës për një fëmijë e ndëshkoi familjen me një gjobë prej 100,000 juanësh (rreth 13,900 dollarë) gati trefishi i të ardhurave të tyre vjetore nga shitja e peshkut në tregun lokal.

“Mezi mbijetonim,” kujton Li, i cili në klasën e tretë u detyrua të rritej përpara kohe, të kujdesej për punët e shtëpisë dhe të ndihmonte të ëmën në stallë gjatë pushimeve.

Sot, në moshën 25-vjeçare, Li thotë se nuk ka ndërmend të ketë fëmijë, një qëndrim gjithnjë e më i zakonshëm për brezin e tij dhe shqetësues për autoritetet kineze, të cilat tani përballen me një krizë popullsie të shkaktuar nga vetë politikat e së kaluarës.

Për dekada me radhë, qeveria kineze i detyroi çiftet të kenë më pak fëmijë përmes gjobave të mëdha, aborteve të detyruara dhe sterilizimeve. Sot, autoritetet po u luten të rinjve që të kenë më shumë fëmijë.

Në përpjekjen më të fundit për të përballuar rënien e lindjeve, Kina njoftoi javën e kaluar një subvencion vjetor prej 3,600 juanësh (rreth 500 dollarë) për çdo fëmijë deri në moshën 3 vjeç, me efekt të menjëhershëm që nga 1 janari.

Të rriturit e një fëmije deri në moshën 18-vjeçare në Kinë kushton mesatarisht 538,000 juanë (rreth 75,000 dollarë), që përbën më shumë se gjashtë herë produktin e brendshëm bruto për frymë të vendit. Ky nivel i lartë e rendit Kinën ndër vendet më të shtrenjta në botë për të pasur fëmijë, në terma relativë, sipas një studimi të fundit të Institutit të Kërkimit të Popullsisë YuWa me seli në Pekin.

Në qytetet kryesore, kostoja është edhe më e lartë: në Shangai shkon përtej 1 milion juanëve, ndërsa në Pekin arrin në 936,000 juanë.

I përballur me një forcë punëtore në tkurrje dhe një popullsi që po plaket me ritme të shpejta, shteti kinez hoqi politikën e një fëmije në vitin 2016, duke i lejuar çiftet të kenë dy fëmijë, e më pas tre në vitin 2021. Por, edhe pse janë ndërmarrë këto masa, shkalla e lindshmërisë ka vazhduar të bjerë.

Popullsia e Kinës është tkurrur për të tretin vit me radhë, pavarësisht një rritjeje të lehtë të lindjeve vitin e kaluar. Ekspertët paralajmërojnë se vendi mund të përballet me një rënie edhe më të madhe në vitet në vijim, nëse nuk merren masa më të fuqishme për të mbështetur familjet.

Subvencioni i ri kombëtar për kujdesin ndaj fëmijëve shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Kinës për të frenuar rënien alarmante të lindshmërisë. Pas vitesh eksperimentimesh me politika të ndryshme nga autoritetet lokale  si lehtësime tatimore, ndihma financiare, përfitime për strehim apo leje më të gjata lehonie  tani është qeveria qendrore që ka marrë drejtimin me një program të standardizuar në nivel kombëtar.

Në kuadër të këtij programi, Kina do të ndajë 90 miliardë juanë (rreth 12.54 miliardë dollarë) në formën e subvencioneve direkte për familjet me fëmijë, duke synuar që mbi 20 milionë familje të përfitojnë që në vitin e parë të zbatimit.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e CNN

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha