Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kundër draftit të Kodit Penal: Goditet konkurrenca e lirë, qytetarët rrezikojnë burg për marrëveshje biznesi


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër draftin e ri të Kodit Penal të paraqitur nga mazhoranca, duke e cilësuar si një projekt represiv të qeverisë që synon të shtypë qytetarët dhe të godasë lirinë ekonomike e shprehjen.

“Në daljen time të parë, pa arritur dot një vështrim të plotë, e kam cilësuar atë si kodi penal i narkodiktaturës, i cili ndëshkon qytetarët dhe mbron qeveritarët”, tha Berisha.

Sipas tij, nismën e paraqiti Ulsi Manja “me një vegël të ish-Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipin në krah”, gjë që sipas tij e tregon qartë se “kodi vjen nga zyrat e Ramës”.

Ai paralajmëroi se drafti përmban nene që do të krijojnë “me qindra dhe mijëra raste të reja penale për të dënuar qytetarët me burg”, përfshirë gazetarët dhe individë që shprehin mendime kritike.

“A mund të imagjinoni që Rama ka nxjerrë aty kode për të ndëshkuar gazetarët, për të ndëshkuar fjalën e lirë?”, pyeti ai.

Një nga shembujt që përmendi ishte penalizimi i një qytetari që i ofron një marrëveshje më të favorshme një biznesmeni që është në tratativa me një palë tjetër.

“Kjo është goditje direkte ndaj konkurrencës së lirë, vetëm për të futur njerëzit në burg”, u shpreh Berisha.

Ai përfundoi duke theksuar: “Pasioni për burgun është i pakufijshëm. Ky kod nuk ka qëllim tjetër përveçse të frikësojë qytetarët dhe të shtypë lirinë.”