Vendosni fjalën kyçe....

Bordi i Tesla-s i jep Elon Musk 29 miliardë dollarë në aksione


Bordi drejtues i Tesla-s ka miratuar një shpërblim prej 29 miliardë dollarësh në aksione për shefin ekzekutiv, Elon Musk, pasi një gjykatë amerikane hodhi poshtë marrëveshjen e mëparshme të pagës për njeriun më të pasur në botë.

Sipas dokumenteve financiare të dorëzuara, Musk do të paguajë 2 miliardë dollarë për të blerë 96 milionë aksione në prodhuesin e makinave elektrike me çmimin për aksion të përcaktuar në paketën 10-vjeçare të vitit 2018, marrëveshje kjo që aktualisht është në pritje të një vendimi apelimi pas rrëzimit nga një gjykatë në Delaware në vitin 2024.

Vendimi i bordit u mbështet nga një “komitet i posaçëm” që përfshinte kryetaren e Tesla-s, Robyn Denholm, dhe anëtaren Kathleen Wilson-Thompson, të cilat deklaruan se ky shpërblim është një “akt me mirëbesim” për të nderuar marrëveshjen e vitit 2018.

“Pas gjithçkaje, ‘një marrëveshje është një marrëveshje’”, shkruan ato në një letër drejtuar aksionarëve, përcjell The Guardian.

Ato pranuan se shumë aksionarë kishin ngritur shqetësime për përqendrimin e Musk në punën e tij si drejtues i Tesla-s, duke shtuar: “Ky shpërblim është një hap vendimtar për të siguruar që energjitë e Elon-it të mbeten të fokusuara tek Tesla.”

Musk, përveç se drejton Tesla-n, zotëron edhe kompaninë e raketave SpaceX, rrjetin social X, kompaninë e inteligjencës artificiale xAI dhe atë të implanteve cerebrale Neuralink.

Aktivitetet e tij politike, përfshirë mbështetjen ndaj Donald Trump, kanë ndikuar negativisht në imazhin dhe shitjet e Tesla-s, sipas disa aksionarëve.

Analisti Dan Ives nga “Wedbush Securities” vlerësoi vendimin, duke e quajtur Musk-in “asetin më të madh të Tesla-s”, dhe tha se ky veprim do të hiqte një pasiguri të rëndësishme për aksionet e kompanisë, duke ndikuar pozitivisht në çmimin e tyre.

Shpërblimi i miratuar ka një vlerë rreth 29 miliardë dollarë bazuar në çmimin e mbylljes së aksioneve të premten. Musk, sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg, ka një pasuri totale prej 350 miliardë dollarësh.

Ndërkohë, kompania është përballur me rënie të ndjeshme të besnikërisë së klientëve, sidomos pas qëndrimeve politike të Musk. Një studim i S&P Global Mobility i cituar nga Reuters tregon se vetëm 49.9% e familjeve që zotërojnë një Tesla zgjodhën të blejnë sërish një Tesla në mars, një rënie drastike nga 73% në qershor të vitit 2024.

Analisti i S&P, Tom Libby, tha se kjo rënie është “e paprecedentë”, duke shtuar: “Nuk kam parë kurrë një rënie kaq të shpejtë në një periudhë kaq të shkurtër.”

Shpërblimi i ri do të rrisë pjesën e Musk në Tesla nga 13% në rreth 15%, duke forcuar pozicionin e tij në kompani. Ai ka deklaruar se dëshiron më shumë kontroll për të shmangur ndërhyrjet nga aksionarët aktivistë.

Nëse paketa e vitit 2018 rikthehet nga gjykatat, shpërblimi i ri do të anulohet automatikisht.

Aksionet e Tesla-s, që kanë rënë me gati 20% këtë vit, u rritën me mbi 3% në tregtinë e mëngjesit pas njoftimit të shpërblimit.