Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtari kryesor i Trump-it akuzon Indinë për financim të luftës së Rusisë në Ukrainë


Një prej ndihmësve më të lartë të Presidentit Donald Trump akuzoi Indinë të dielën se po financon në mënyrë efektive luftën e Rusisë në Ukrainë përmes blerjes së naftës nga Moska, në një përshkallëzim të retorikës amerikane ndaj një prej partnerëve kyç në rajonin Indo-Paqësor.

“Presidenti Trump e ka bërë shumë të qartë se nuk është e pranueshme që India të vazhdojë të financojë këtë luftë përmes blerjes së naftës nga Rusia,” tha Stephen Miller, zëvendësshef i stafit në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një interviste në Fox News, përcjell Reuters.

Komentet e Miller ishin ndër kritikat më të forta të administratës Trump ndaj Indisë deri më tani, ndërsa shtoi se “njerëzit do të tronditen kur të mësojnë se India është praktikisht e barabartë me Kinën në blerjet e naftës ruse. Kjo është një fakt befasues.”

Ambasada indiane në Uashington nuk dha menjëherë një reagim, por burime qeveritare në Nju Delhi i thanë agjencisë Reuters të shtunën se India do të vazhdojë blerjet e saj të naftës nga Moska, pavarësisht presioneve apo kërcënimeve amerikane.

Në shenjë ndëshkimi, të premten kanë hyrë në fuqi tarifa 25% për produktet indiane, si pasojë e blerjeve të Indisë të pajisjeve ushtarake dhe energjetike nga Rusia.

Presidenti Trump ka paralajmëruar gjithashtu vendosjen e tarifave deri në 100% për importet nga vendet që vazhdojnë të blejnë naftë ruse, nëse Moska nuk arrin një marrëveshje të madhe paqeje me Kievin.

Megjithatë, Miller e zbuti disi tonin kritik duke theksuar se marrëdhënia mes Trump-it dhe kryeministrit indian Narendra Modi është “e jashtëzakonshme”.