Vendosni fjalën kyçe....

Vullkani Lewotobi në Indonezi shpërthen për të dytën ditë radhazi, tymi arrin 18 km lartësi


Vullkani Lewotobi Laki-Laki, një nga më aktivët në Indonezi, ka shpërthyer sërish të shtunën në mëngjes, vetëm një ditë pas shpërthimit të fuqishëm të së premtes. Agjencia Gjeologjike e Indonezisë raportoi se shpërthimi i fundit hodhi një kolonë të dendur tymi dhe materiali vullkanik në një lartësi prej 18 kilometrash mbi nivelin e detit, duke mbuluar fshatra të tërë me hi dhe gurë të nxehtë, por pa viktima të raportuara deri më tani, përcjell Fox News.

Pamje dramatike të ndara nga autoritetet tregojnë rrufe që godasin shpërthimin, ndërsa lava e ndezur dhe retë e gazit të nxehtë rrëshqasin në shpatet e malit. Përplasja e rrufeve dhe shpërthimeve ndodhi që të premten në mbrëmje, ku tymi dhe hiri arritën një lartësi prej mbi 10 kilometrash, duke ndriçuar qiellin me ngjyra të flakta.

Agjencia tha se re të mëdha gazi të nxehtë dhe gurësh të shkrirë kanë zbritur deri në 5 kilometra nga krateri, ndërsa lëvizja e thellë e magmës ka shkaktuar tërmete vullkanike të regjistruara nga monitorët sizmikë. Material vullkanik, përfshirë gurë të nxehtë sa një gisht, është hedhur deri në 8 kilometra larg kraterit, duke mbuluar tokat bujqësore dhe shtëpitë përreth.

Zona e rrezikut është zgjeruar në një rreze prej 7 kilometrash, ndërsa autoritetet kanë kërkuar nga banorët të jenë të kujdesshëm ndaj reshjeve të dendura që mund të shkaktojnë rrjedhje lavash nëpër përroje dhe lumenj që burojnë nga mali.

Shpërthimi i së shtunës vjen më pak se një muaj pas një tjetër shpërthimi në korrik, kur Aeroporti Ngurah Rai në Bali u detyrua të anulonte dhe vononte fluturimet për shkak të mbulesës së madhe me hi.

Indonezia ndodhet në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit”, një rajon me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik, dhe ka 120 vullkane aktive, duke e bërë njërin nga vendet më të ekspozuara ndaj rrezikut të shpërthimeve në botë.