
Në Gjermani, dhuna në familje ka arritur nivele rekord në vitin 2024, me 256.942 persona të prekur, sipas një raporti të publikuar nga e përditshmja gjermane Welt am Sonntag, duke u bazuar në të dhënat e Zyrës Federale të Policisë. Kjo shifër paraqet një rritje prej 3.7% krahasuar me vitin paraprak.
Ekspertët paralajmërojnë se numri i vërtetë i rasteve mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumë raste të dhunës nuk raportohen. Shoqata Sociale e Gjermanisë e ka cilësuar situatën si shqetësuese, duke theksuar se dhuna në familje prek kryesisht gratë dhe se qendrat për ndihmë janë jetike në përballimin e kësaj krize.
Sipas statistikave, dhuna në familje është rritur me 14% gjatë pesë viteve të fundit. Ministria për Çështjet Familjare ka deklaruar se rritja e rasteve mund të lidhet me krizat shoqërore, sfidat personale, por edhe me një gatishmëri më të lartë për t’i raportuar ato.
Në përpjekje për të përmirësuar situatën, në shkurt të këtij viti është miratuar një ligj për mbrojtjen e viktimave, i cili parashikon ofrimin e shërbimeve të këshillimit dhe mbështetjes. Për zbatimin e tij, qeveria gjermane ka planifikuar një fond prej 2.6 miliardë eurosh për periudhën 2027–2036.
Megjithatë, organizatat që punojnë me viktimat e dhunës paralajmërojnë se strehimoret dhe shërbimet ekzistuese nuk janë të mjaftueshme për të përballuar fluksin në rritje të kërkesave për ndihmë.