
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër pas refuzimit nga Komisioni Europian për të dhënë fondet IPARD për Shqipërinë, duke e cilësuar këtë si një “shuplakë publike ndaj qeverisë së Edi Ramës” dhe një pasojë të drejtpërdrejtë të korrupsionit shtetëror.
Në deklaratën për mediat, Blushi akuzon qeverinë dhe kryeministrin Rama për zhdukjen e miliona eurove që ishin të destinuara për bujqësinë dhe që sipas tij janë përvetësuar përmes aferës së inceneratorëve. Ai shton se drejtësia e kapur, me në krye SPAK-un, mbron dhe garanton këtë skemë mafioze, ndërsa fermerët mbeten pa mbështetje.
Blushi thotë se vendimi i Brukselit për të ndërprerë fondet është një akuzë serioze ndaj qeverisë dhe paralajmëron se me këtë nivel korrupsioni, Shqipëria nuk ka perspektivë europiane. Ai kërkon largimin e menjëhershëm të qeverisë aktuale dhe një drejtësi të pavarur që të vendosë përpara përgjegjësisë ata që kanë abuzuar me fondet e BE-së.