Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Bujqësisë hap 9 skema të reja mbështetëse për fermerët


Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur zyrtarisht aplikimet për 9 skema të reja mbështetëse për fermerët, të cilat do të jenë të hapura deri më 30 shtator. Për herë të parë përfshihet edhe subvencionimi për rrjetat mbrojtëse nga breshëri, duke synuar veçanërisht mbrojtjen e drufrutorëve dhe vreshtave.

Ndër skemat e tjera përfshihen mbështetje për: ujitjen me pika, ndërtimin e serave dhe stallave blegtorale, mbjelljen e fidaneve të rinj në pemëtari dhe vreshta, krijimin e parqeve të bletëve dhe investimet në mekanikën bujqësore.

Në kuadër të mbështetjes për mekanikën bujqësore, ministria ofron një kredi sovrane për blerjen e traktorëve dhe agregateve bujqësore, ku shteti garanton 50% të shumës përmes bankave të nivelit të dytë.

Fermerët mund të marrin ndihmë për përgatitjen e dokumentacionit pranë agjencive rajonale të ekstensionit bujqësor, ndërsa zyrtarë të AREB kanë theksuar se skemat janë gjithëpërfshirëse dhe shmangin barrierat burokratike.