
Këshilli i Ministrave vendosit sot kalimin e administrimit të Pallatit të Kongreseve nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë.
Propozimi është bërë nga kreu i qeverisë Rama ndërsa sipas vendimit, prona do rivitalizohet. Vendimi nuk jep hollësi të tjera se çfarë nënkuptohet me rivitalizim të Pallatit të Kongreseve.
Pallati i Kongreseve nisi ndërtimin në vitin 1982, ndërsa punimet përfunduan katër vite më vonë, në vitin 1986.
VKM
Vendim
Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pasurisë me numër 7/74, në zonën kadastrale 8160, Tiranë, dhe për një ndryshim në vendimin nr.834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuarnë mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i MinistraveVendosi:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga bashkia tiranë te ministria e ekonomisë, kulturës dhe inovacionit, të pasurisë me numër 7/74, në zonën kadastrale 8160, tiranë, sipas planit të rilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit “rivitalizimi i pallatit të kongreseve”.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i hiqet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.834, datë 13.12.2006, të këshillit të ministrave, “për miratimin e listës së pjesshme të inventarit (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore në bashkinë tiranë, të qarkut të tiranës”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.
Kryeministri Edi Rama
Në mungesë dhe me porosi
Zëvendëskryeministri
Belinda Balluku