Vendosni fjalën kyçe....

Hasani në “Helsinki+50”: Shkelja e parimeve nga Rusia sfidon besueshmërinë e OSBE-së


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë “Helsinki+50”, të organizuar në Finlandë me rastin e 50-vjetorit të nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit – një dokument themelues i OSBE-së dhe shtyllë qendrore e arkitekturës së sigurisë evropiane.

Në fjalën e tij, ministri Hasani theksoi rëndësinë e qëndrueshme të parimeve themelore të Aktit Final, duke përfshirë respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, mos-përdorimin e forcës, dhe respektimin e të drejtave të njeriut, të cilat ai i cilësoi si “udhërrëfyes të domosdoshëm për rendin ndërkombëtar”.

“Shkelja e vazhdueshme e këtyre parimeve nga Federata Ruse përmes agresionit të saj ndaj Ukrainës përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për besueshmërinë e OSBE-së,” deklaroi Hasani.

Ai shtoi se “pikërisht në një mjedis të tillë, roli i OSBE-së si platformë për dialog dhe si mbrojtëse e parimeve të Helsinkit bëhet edhe më i domosdoshëm”.

Ministri shqiptar theksoi gjithashtu se Shqipëria, si vend anëtar aktiv dhe ish-kryesuese e OSBE-së, mbetet e angazhuar për një organizatë funksionale dhe efektive që të jetë në gjendje të përballet me sfidat e kohës, përfshirë ato digjitale, hibride, mjedisore dhe sociale.

Konferenca “Helsinki+50” mblodhi përfaqësues të lartë nga shtetet pjesëmarrëse në OSBE, partnerët për bashkëpunim, institucionet ekzekutive të organizatës, Asambleja Parlamentare, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare.

Ngjarja u përshëndet nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres.

Të dy liderët theksuan rëndësinë e ruajtjes së rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe fuqinë e diplomacisë shumëpalëshe për të adresuar krizat aktuale.

Në përfundim, konferenca riafirmoi rëndësinë e trashëgimisë së Aktit Final të Helsinkit dhe nevojën për një angazhim të ri ndaj parimeve që ai përfaqëson, në një kohë kur siguria në Evropë dhe më gjerë përballet me sfida serioze.