Vendosni fjalën kyçe....

Tërmet i fuqishëm dhe shpërthim vullkani në Rusi, paralajmërime për cunami në Paqësor, evakuime në Amerikën Latine dhe Azi


Një tërmet shkatërrues me magnitudë 8.8 që goditi brigjet lindore të Rusisë mëngjesin e së mërkurës ka shkaktuar një sërë paralajmërimesh për cunami në të gjithë rajonin e Paqësorit, duke detyruar autoritetet në Japoni, Shtetet e Bashkuara, Amerikën Qendrore dhe Jugore të marrin masa urgjente dhe të urdhërojnë evakuime masive.

Tërmeti, epiqendra e të cilit ndodhej në Oqeanin Paqësor pranë gadishullit Kamçatka, u pasua nga shpërthimi i vullkanit Klyuchevskoy, më i larti aktiv në Euroazi.

Pamje të publikuara nga agjencitë ruse tregojnë “llavë të nxehtë që rrëshqet në faqet e malit”, ndërsa autoritetet paralajmëruan për shtylla të mëdha hiri që mund të rrezikojnë zonat përreth, përcjell The Guardian.

Në bregun lindor të Rusisë, valët e cunamit arritën deri në 4 metra në qytetin port Severo-Kurilsk në Ishujt Kurile. Sipas mediave ruse, disa ndërtesa janë dëmtuar dhe banorët janë larguar në zona më të sigurta.

 

Gjendje alarmi në Paqësor

Autoritetet në Japoni lëshuan fillimisht paralajmërim të nivelit të lartë për cunami dhe nisën evakuimin e mijëra qytetarëve në qytete bregdetare, përfshirë zonat pranë Fukushimës, ku punonjësit e centralit bërthamor u evakuuan përkohësisht. Paralajmërimi më vonë u ul në një nivel më të ulët, por autoritetet thanë se mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Në Shtetet e Bashkuara, Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi këshilla për cunami në shtetet bregdetare të Paqësorit, duke përfshirë Kaliforninë, Oregonin, Uashingtonin, Alaskën dhe Havait. Në Hawaii, autoritetet nisën evakuimin e qytetarëve në disa zona dhe përkohësisht pezulluan fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Honolulu-s, para se paralajmërimi të ulej dhe fluturimet të riniseshin.

Sipas Qendrës për Paralajmërimin e Cunameve në Paqësor (PTWC), dallgët arritën në Hawaii dhe Kaliforni me lartësi deri në 0.5 metra mbi nivelin e detit, por pa shkaktuar dëme të konsiderueshme deri më tani.

Amerika Latine dhe Polinezia Franceze në gatishmëri

Evakuime janë urdhëruar gjithashtu në disa vende të Amerikës Qendrore dhe Jugore, përfshirë Ekuadorin dhe Peru-në. Polinezia Franceze ka lëshuar paralajmërime për ishujt Marquesas, ndërsa Australia mbetet në vëzhgim të situatës.

“Po përgatitemi për një qëndrim të gjatë jashtë shtëpive,” tha një banor i evakuuar në bregun perëndimor të Meksikës për mediat lokale. “Autoritetet janë në lëvizje dhe presim udhëzime të mëtejshme.”

Deri tani nuk raportohet për viktima

Edhe pse dëmet materiale janë të konsiderueshme, veçanërisht në zonat pranë epiqendrës në Rusi, deri tani nuk janë raportuar viktima. Autoritetet ndërkombëtare dhe agjencitë humanitare janë vënë në kontakt me qeverinë ruse dhe vendet e prekura për të ofruar ndihmë në rast nevoje.

Situata mbetet dinamike dhe autoritetet kërkojnë nga qytetarët në zonat e rrezikut të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të qëndrojnë të informuar.