Vendosni fjalën kyçe....

31 korriku, afati i fundit për lirimin e hapësirave publike, Rama dhe Balluku paralajmërojnë penalizime



Data 31 korrik shënon afatin e fundit për subjektet që shfrytëzojnë hapësirat publike pranë akseve rrugore kombëtare që t’i lirojnë ato në mënyrë vullnetare. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se pas këtij afati do të nisë zbatimi i masave ndëshkuese për të gjithë ata që refuzojnë të zbatojnë urdhrin.

“31 Korriku është afati i fundit për lirimin vullnetar të hapësirave nga subjektet e vendosura pranë akseve kombëtare, të cilat janë kthyer në rrezik për sigurinë rrugore. Penalizime për të gjithë ata që refuzojnë të zhvendosen,” u shpreh Rama në një deklaratë publike.

Thirrja u ripërsërit edhe nga zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi në aksin Kamëz–Laç. Ajo deklaroi se kjo nismë është pjesë e një reforme të thellë për lirimin e hapësirave publike dhe rritjen e sigurisë në rrugët kombëtare.

“Do të ketë penalizim për ata që kryejnë shkelje. Kjo është një reformë e shtrirë në të gjithë territorin, që nga tendat, parkingjet, e deri te akset kombëtare nga veriu në jug. Kjo reformë do të çojë deri në fund dhe kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve pasi shpeshherë indicet për ndërhyrje vijnë pikërisht nga ta,” tha Balluku.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike është shtrirë në disa qytete të vendit dhe pritet të intensifikohet pas datës 31 korrik, me ndërhyrje të drejtpërdrejta ndaj subjekteve që nuk janë larguar vullnetarisht.