Vendosni fjalën kyçe....

Zjarre në Konispol dhe Dukat, arrestohet 25-vjeçari që theu arrestin shtëpiak për të ndezur flakët, procedohet edhe një 15-vjeçar


Policia e Vlorës ka identifikuar dhe ndaluar autorët e dy zjarrvënieve të ndodhura së fundmi në Konispol dhe Dukat.

Në Konispol, 25-vjeçari R. L., banues në fshatin Shalës, u arrestua në flagrancë pasi, duke thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për vjedhje, ka bashkëpunuar me 51-vjeçarin S. I. për të ndezur zjarr në një sipërfaqe kullote në fshatin Janjar. Si pasojë e flakëve u dogjën rreth 8 hektarë me barishte dhe shkurre. Ndaj S. I. ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Ndërkohë, në fshatin Dukat, një 15-vjeçar dyshohet se ka ndezur zjarr në zonën e quajtur “Fëngu i Bozhanajve”, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje me bimësi të ndryshme. Ndaj të miturit ka nisur procedimi penal.

Policia ka përcjellë materialet në prokuroritë përkatëse dhe apelon qytetarët të shmangin zjarrvëniet, duke paralajmëruar ndëshkime për çdo shkelës dhe duke i ftuar të raportojnë çdo rast në numrin 112.