Vendosni fjalën kyçe....

Plagosje me thikë në Vlorë, 25-vjeçari në spital pas sherrit në një berberhane



Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Vlorë, qytet që vazhdon të përballet me problematika të larta të kriminalitetit, sidomos gjatë sezonit turistik.

Rreth orës 19:00, në lagjen “Isa Boletini”, një 25-vjeçar mbeti i plagosur me thikë gjatë një sherri të ndodhur në ambientet e një berberhaneje. I riu, i identifikuar si M. Sh., u transportua menjëherë në spital, ku po merr trajtim mjekësor. Fatmirësisht, sipas burimeve zyrtare, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, autor i dyshuar i plagosjes është shtetasi Sh. S., 24 vjeç, klient i berberhanes, i cili pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar praktikantin me mjet prerës.

Pas ngjarjes, i riu është larguar nga vendi i krimit dhe është shpallur në kërkim. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për kapjen e autorit si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Grupi hetimor është angazhuar në mbledhjen e provave dhe marrjen e dëshmive për dokumentimin ligjor të rastit.