Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen do të takohet me Trump në Skoci – Marrëveshja tregtare BE-SHBA drejt finalizimit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të takohet të dielën me presidentin amerikan Donald Trump në Skoci, në kuadër të përpjekjeve për të finalizuar një marrëveshje tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Takimi pritet të zhvillohet me ftesë të Trump, gjatë vizitës së tij katërditore në Skoci, ku ai mbërriti të premten për hapjen e një fushe të re golfi në Aberdeenshire.

Kryeministri irlandez, Micheál Martin, tha të premten se marrëveshja “shpresohet të firmoset përpara përfundimit të fundjavës”, ndërsa vetë Trump e vlerësoi shanset për arritjen e saj si “50/50”, por më pas shtoi se ekipet e tij po punonin “me përkushtim” për ta përmbyllur atë që e quajti “marrëveshja e madhe”.

Burime pranë administratës amerikane thanë për The Guardian se Trump nuk do të pranonte të takohej me Von der Leyen nëse marrëveshja nuk do të ishte gati për t’u nënshkruar.

Presidenti amerikan e përshëndeti von der Leyen për një telefonatë “të mirë” dhe shtoi se ishin dakordësuar për një takim në Skoci për të diskutuar “marrëdhëniet tregtare transatlantike dhe forcimin e tyre”.

Në një deklaratë për shtyp para nisjes me Air Force One drejt Glasgow, Trump vlerësoi liderët e Britanisë dhe Skocisë, Keir Starmer dhe John Swinney, dhe u shpreh se kishte “shumë dashuri për Skocinë”, duke kujtuar se nëna e tij ishte me origjinë skoceze.

Ndërkohë, një marrëveshje e pjesshme tregtare e arritur më parë mes SHBA-së dhe Britanisë ka shkaktuar debat në Mbretërinë e Bashkuar, pasi përfshin uljen e tarifave për makinat britanike nga 27.5% në 10%, në këmbim të një rritjeje të importeve amerikane të mishit të viçit dhe etanolit.

Ky hap është parë si lëvizje e zgjuar nga Starmer, por ka ngjallur shqetësim në sektorin e bujqësisë britanike, sidomos për hyrjen e produkteve të qumështit amerikan të trajtuara me hormone.

Kreu i Unionit Kombëtar të Fermerëve në Britani, Tom Bradshaw, paralajmëroi se lejimi i produkteve të qumështit nga SHBA do të ishte një “vijë e kuqe”, pasi “në SHBA përdoren hormone të ndaluara në Evropë prej 30 vitesh”.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka pranuar të negociojë për tarifa të bazës 15%, që do të prekin edhe automjetet, duke i bërë makinat evropiane më të shtrenjta për tregtarët amerikanë krahasuar me ato britanike – të cilat gëzojnë tashmë një përjashtim prej 100,000 njësi në vit me tarifë 10%.

Gjiganti gjerman Volkswagen bëri të ditur të premten se kishte pësuar një humbje prej 1 miliard paund vetëm në gjysmën e parë të vitit, si pasojë e tarifave të vendosura nga administrata Trump.

Presidenti amerikan ka premtuar se deri të premten e ardhshme, një afat i vetëvendosur, do të ketë përmbyllur marrëveshje me pothuajse të gjitha 60 shtetet ndaj të cilave kishte kërcënuar me tarifa ndëshkuese. Ai pranoi se nuk kishte pasur “shumë fat me Kanadanë”, por shtoi se fokusi i tij kryesor ishte arritja e një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian.

Takimi i së dielës midis Trump dhe Von der Leyen mund të jetë momenti vendimtar për të shmangur një përshkallëzim të luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës.