Vendosni fjalën kyçe....

SPAK aksion kundër grupeve kriminale/ Arrestohen 4 persona, sekuestrohen ora luksoze dhe makina


SPAK ka ndërmarrë një tjetër goditje ndaj grupeve kriminale, duke urdhëruar një operacion të gjerë policor që ka çuar në arrestimin e katër personave.

Sipas raportimeve të Balkanweb, mes të arrestuarve janë vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani, si dhe Ermir Ndreaj. Emri i të katërtit nuk është bërë ende publik, ndërkohë që një tjetër person është shpallur në kërkim dhe dyshohet se ndodhet jashtë vendit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sende me vlerë të lartë si ora të shtrenjta, bizhuteri dhe makina luksoze.

Në të njëjtën kohë, në ambientet e paraburgimit janë komunikuar akuza të reja për Plarent Dervishajn dhe Erion Alibejn. Ky i fundit, i cili mban statusin e të penduarit të drejtësisë, ka dhënë dëshmi të rëndësishme për aktivitetin kriminal të disa grupeve, përfshirë ngjarje të shumta kriminale dhe trafik droge.

SPAK ka në dispozicion dëshminë e tij dhe të dhëna të tjera të siguruara nga aplikacioni i enkriptuar Sky ECC, çka ka shërbyer si bazë për veprimet e fundit hetimore.

Plarent Dervishaj po gjykohet aktualisht për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ndërsa Alibej është i përfshirë në disa raste të vrasjeve me pagesë. Pavarësisht akuzave të rënda ndaj tij, bashkëpunimi me drejtësinë ka bërë që ai të konsiderohet kyç në hetimet e SPAK kundër grupeve kriminale.