Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa kërkon reagim institucional për vrasjet në kufi gjatë komunizmit


Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Ina Zhupa, ka kërkuar reagim institucional dhe ndërgjegjësim të shoqërisë për krimet shtetërore të regjimit komunist, konkretisht për vrasjet në kufi në fundvitet ’80 dhe fillimin e viteve ’90.

Zhupa solli në vëmendje se vetëm gjatë vitit 1990 janë vrarë 52 deri në 55 qytetarë që tentuan të largoheshin nga vendi, duke theksuar se këto ishin vrasje shtetërore ndaj civilëve të paarmatosur.

“Përgjatë viteve 1989-1990 disa dhjetëra të rinj dhe qytetarë humbën jetën duke u ekzekutuar nga forcat e kufirit në përpjekje për largim nga Shqipëria, secili prej tyre i paarmatosur dhe i papërfshirë në vepra penale ose konflikt që mund të vinte në rrezik sigurinë kombëtare”, deklaroi Zhupa.

Ajo theksoi se viktimat ishin qytetarë që “kërkonin lirinë, ëndërronin një jetë më të mirë dhe u motivuan nga vala e emigrimit nga vendet ish-komuniste.”

Sipas saj, “Shqipëria ishte vendi me numrin më të lartë të të vrarëve në kufi, sidomos në vitin 1990, pra pas rënies së Murit të Berlinit”.

Duke iu referuar një liste të hartuar nga Instituti i Studimeve Politike dhe të paraqitur në Kuvend, Zhupa tha se “ky është një dokument i plotë i këtij krimi shtetëror në ditët e fundit të regjimit”.

Ajo dënoi gjithashtu faktin se shumë nga këto viktima janë zhdukur, trupat e tyre nuk janë kthyer kurrë familjarëve, dhe varrimi është refuzuar apo janë keqtrajtuar publikisht kufomat.

Zhupa u ndal edhe te përgjegjësitë që, sipas saj, institucionet shqiptare nuk i kanë përmbushur ende: “Shteti dhe shoqëria nuk kanë arritur ende të krijojnë ndarje morale dhe të drejtë me të kaluarën, sidomos me viktimat me motive politike. Vrasjet në kufi dhe vrasjet politike brenda vendit mbetën trashëgimi negative.”

Ajo theksoi se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave duhet të ndërmarrin hapa të qartë ligjorë, financiarë dhe institucionalë për dokumentimin dhe trajtimin e rasteve. “Këshilli i Ministrave duhet të miratojë VKM sipas ligjit për të mundësuar fillimin e zbatimit real dhe integral të ligjit mbi personat e zhdukur dhe të vrarë,” tha Zhupa.

Duke iu referuar legjislacionit ekzistues, Zhupa kërkoi që edhe bashkitë të përfshihen në ruajtjen e memories kolektive: “Shumica e bashkive në zonat kufitare, në të cilat janë shënuar ngjarje të rënda të vrasjeve në kufi në vitet 1988-1991, nuk kanë një sistem identifikimi dhe vlerësimi, aktivitete që lidhen me memorien dhe as fokus institucional për hetimin e rasteve të personave të zhdukur.”

Në fund, Zhupa kërkoi që edhe arsimi dhe mediat publike të kenë një rol aktiv në njohjen e kësaj historie dhe edukimin e brezave të rinj. “TVSH dhe institucionet e tjera informative publike kanë përgjegjësi, rol dhe mundësi të përfshijnë në programet e tyre këtë problematikë, në funksion të informimit të saktë, ndërgjegjësimit dhe kulturës së memories dhe drejtësisë transitore,” përfundoi ajo.