
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e një strukture të re digjitale për mbikëqyrjen e territorit, të quajtur Kryeinspektoriati Digjital i Territorit.
Përmes një postimi në Facebook, i shoqëruar me një video informuese, Rama e cilësoi këtë hap si pjesë të reformës për modernizimin e qeverisjes dhe forcimin e kontrollit mbi territorin në shkallë vendi.
Sipas Ramës, struktura e re do të shërbejë si një instrument i avancuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave në çdo cep të territorit dhe do të jetë pjesë integrale e zbatimit të masave të reja ligjore për kontrollin dhe administrimin efikas të hapësirës publike dhe private.
“Do ta bëjë më të lehtë punën e institucioneve dhe shumë më të vështira abuzimet e zakonshme me territorin,” deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeinspektoriati do të ketë një fushë veprimi të gjerë, përfshirë ndërtimet pa leje, taksat dhe tarifat vendore, monitorimin e prodhimit bujqësor, si dhe mbrojtjen e pyjeve dhe lumenjve.
Rama theksoi se digjitalizimi i këtij mekanizmi do të rrisë transparencën dhe efikasitetin, duke reduktuar mundësitë për ndërhyrje të paligjshme apo shpërdorime.