
Tajlanda dhe Kamboxhia janë përfshirë në përplasjet më vdekjeprurëse të dekadës së fundit në kufirin mes tyre, ku të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pas shkëmbimeve të rënda me raketa dhe artileri mëngjesin e së enjtes, përcjell Guardian.
Sipas ministrit të Shëndetësisë së Tajlandës, Somsak Thepsuthin, 11 civilë tajlandezë dhe një ushtar janë vrarë nga bombardimet kamboxhiane, ndërsa 31 të tjerë janë plagosur. Mes viktimave ndodhet edhe një fëmijë 8-vjeçar. Sipas ushtrisë tajlandeze, luftimet u përhapën në gjastë zona të ndryshme kufitare, duke përfshirë edhe sulme ndaj një spitali në provincën Surin, të cilat Tajlanda i ka cilësuar si krime lufte.
Në kundërpërgjigje, forcat ajrore tajlandeze kryen bombardime ndaj objektivave ushtarake në territorin kamboxhian. Ministria e Mbrojtjes së Kamboxhias e dënoi sulmin si “agresion ushtarak brutal dhe i papërgjegjshëm kundër sovranitetit të Kamboxhias”.
Përplasjet ndodhën pranë tempullit Ta Muen Thom, një vend i diskutueshëm në kufi, që ka qenë shpesh vatër tensionesh historike, veçanërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi hartat koloniale që ndajnë 817 km të vijës kufitare.
Të dyja vendet akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve, me Kamboxhinë që thotë se ka vepruar në vetëmbrojtje ndaj një sulmi të paprovokuar nga Tajlanda.
Ish-kryeministri kamboxhian Hun Sen dhe djali i tij, kryeministri aktual Hun Manet, kanë dënuar sulmet dhe kanë theksuar se vendi i tyre “nuk kishte zgjidhje tjetër përveç përdorimit të forcës ndaj agresionit të armatosur”.
Pamjet e transmetuara në median tajlandeze tregojnë civile që vrapojnë për të marrë strehim dhe familje të tëra që evakuohen nga zonat e konfliktit.
Kina ka shprehur shqetësim të thellë, ndërsa ka ofruar ndihmën e saj për të promovuar paqen dhe dialogun. Kryeministri malajzian, Anwar Ibrahim, si kryesues i ASEAN-it, u ka bërë thirrje të dy vendeve të ulin tensionet.
Situata është përshkallëzuar që në maj, kur një ushtar kamboxhian u vra në një përplasje në zonën e diskutueshme, çka pasoi me shpërthime të minave tokësore dhe shtimin e pranisë ushtarake nga të dyja palët.
Për shkak të incidentit të fundit, Tajlanda ka tërhequr ambasadorin e saj nga Phnom Penh dhe ka njoftuar largimin e ambasadorit kamboxhian nga Bangkok. Të gjitha pikëkalimet kufitare nën juridiksionin e Ushtrisë së Dytë Tajlandeze janë mbyllur, ndërsa turistët janë ndaluar të afrohen në zonat kufitare.
Përplasjet kufitare janë ndërlidhur edhe me turbullirat politike të brendshme në Tajlandë, ku kryeministrja Paetongtarn Shinawatra është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese për etikën e saj në menaxhimin e krizës. Një telefonatë e saj me ish-kryeministrin kamboxhian Hun Sen është publikuar në media dhe ka nxitur kritika të forta, me akuza se “i është nënshtruar Kamboxhias”.