
Tre persona janë arrestuar në Krujë e Sarandë. 67-vjeçari Xhemal Ivani e 62-vjeçari Ali Kulla, janë prangopsur nga policia pasi akuzohen për kultivim kanabisi.
Ata janë kapur më flagrancë në fshatrat Krastë e Brret. Në Sarandë është ndaluar 44-vjeçari Eqerem Sorra, banues në Vlorë, pasi është kapur me një armë zjarri pa leje në makinë.
Njoftimi
“Vijon plani operacional policor, anticannabis, i koduar “Koordinata”. Arrestohen në flagrancë autorët e 2 rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në fshatrat Krastë dhe Brret. Në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, që po kryhen me objektiv konstatimin e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë goditën 2 raste të tjera në këtë fushë. Konkretisht:
-u arrestua në flagrancë shtetasi Xhemal Ivani, 67 vjeç, pasi kishte kultivuar në fshatin Krastë, bimë narkotike;
-u arrestua në flagrancë Ali Kulla, 62 vjeç, pasi kishte kultivuar në fshatin Brret, bimë narkotike.
Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies. Kontrollet kundër kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”
Njoftimi
“Në vijim të kontrolleve intensive të ndërmarra nga strukturat e komisariateve të Policisë Sarandë dhe Delvinë me mbështetjen dhe të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me fokus të veçantë qytetet e Sarandës dhe Delvinës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e shtetasve në kërkim dhe kontrollin e shtetasve me precedent penal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Ngarkesa”. Gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
Eqerem Sorra, 44 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Blerimas”, Delvinë, ndërkohë që qarkullonte me një automjet tip “Toyota”. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me 30 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.”