
Dita e djeshme ka qenë një nga më tragjiket për sa u përket aksidenteve me pasojë vdekjen. Pesë viktima e dhjetë të plagosur u regjistruan në katër aksidente të ndodhura në Dibër, Krujë e Shkodër.
Në fshatin Qerekë të Krujës, një katërvjeçare gjeti vdekjen pasi u godit nga i ati me makinë brenda mjediseve të një biznesi familjar. Edhe pse u dërgua në spital, e mitura nuk mundi të mbijetojë.
Në Bulqizë, 48-vjeçari Burhan Gjoka e 46-vjeçari Destan Gjeta gjetën vdekjen pasi makina “Nissan” me të cilën po ktheheshin nga puna u rrëzua në zonën e Antenave duke rënë 300 metra në humnerë. Një person I tretë që ndodhej në makinë arriti të mbijetojë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Në fshatin Hotesh të Dibrës, një grua gjeti vdekjen në një aksident të ndodhur në derën e shtëpisë. Bashkëshorti I saj humbi kontrollin e makinës gjatë një manovrimi në oborr duke përplasur për vdekje bashkëshorten.
Rreth orës 15:00, një tjetër aksident u regjistrua në qytetin e Dimalit, në zonën e quajtur “Parku i Qytetit”. Dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën dhe si pasojë, dy fëmijë të moshës 8 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në njërin prej mjeteve, u plagosën. Ata janë dërguar në Spitalin e Beratit dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në mbrëmje, një 60-vjeçare gjeti vdekjen pas një aksidenti mes një makine dhe një kamioni me targa serbe pranë fshatit Fishtë në rrugën Lezhë-Shkodër.