
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë dhe lidhjeve të saj me krimin e organizuar, duke deklaruar se pas zgjedhjeve vendore të 11 majit janë shpërndarë leje ndërtimi si shpërblim për eksponentë të njohur të botës së krimit.
Në një konferencë për mediat, Berisha përmendi me emra Altin Hajrin dhe Suel Çelën, të cilët, sipas tij, janë shpërblyer për mbështetjen e ofruar gjatë fushatës së Partisë Socialiste në Durrës dhe Elbasan. Ai tha se ndërtimi në Shqipëri është kthyer në lavatriçen kryesore të pastrimit të parave nga grupet kriminale.
“Altin Hajri, i kërkuar për vrasjen makabre të Jan Prengës, është shpërblyer nga Edi Rama më 26 mars me një leje ndërtimi për një pallat 21-katësh në Durrës, në emër të bashkëshortes së tij Valentina Hajri, përmes kompanisë ‘Pjeza 2022’”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se Hajri është i lirë, ndonëse zyrtarisht në kërkim nga SPAK, dhe vijon aktivitetin ndërtimor pa asnjë pengesë.
Berisha përmendi edhe emrin e Saimir Tushës, të dënuar më parë për trafik droge, si një tjetër përfitues i lejeve ndërtimore pas angazhimit të tij në fushatën e kandidatit socialist në Durrës.
Sipas Berishës, Tusha është pronar i kompanisë “Saeli Konstruksion” dhe ka marrë leje për disa pallate deri në pesë kate.
Një tjetër rast i përmendur nga ish-kryeministri është ai i ndërtimit të një objekti 37-katësh në Tiranë, ku sipas tij fshihet Arian Ormenaj, i lidhur me grupin kriminal Çopja dhe eksponentë në Elbasan dhe Dubai.
Sipas Berishës, përmes një kompanie guaskë, Ormenaj ka marrë lejen e ndërtimit në emër të Ylla Sulës, e cila më pas ka transferuar aksione tek ai.
Berisha akuzoi gjithashtu se në krye të Agjencisë së Urbanistikës ndodhet një person i lidhur me njerëz pranë Suel Çelës, ndërsa e cilësoi ndërtimin në vend si një mekanizëm të pakontrolluar për pastrim parash të pista nga të gjitha klanet kriminale.
“Qytetarët duhet ta dinë se ndërtimi është lavatriçja kryesore e drogës. Treguesit e ndërtimit në Shqipëri janë trefish më të lartë se në Bashkimin Europian, dhe kjo ndodh sepse Shqipëria kontrollohet nga grupet kriminale të lidhura me pushtetin”, theksoi Berisha.
Ai shtoi gjithashtu se kompanitë e përfshira në këto projekte janë me kapital minimal dhe me struktura që synojnë të fshehin identitetin e përfituesve të vërtetë, të cilët shpesh janë të dënuar apo në kërkim për vepra të rënda penale.