
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka dhënë një opinion historik që u hap rrugë shteteve për të paditur njëri-tjetrin për dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, përfshirë emetimet historike të gazeve serrë. Edhe pse vendimi është këshillues dhe jo detyrues, ai shihet si një fitore e madhe për vendet më të prekura nga kriza klimatike, veçanërisht ato në Paqësor, përcjell BBC.
Gjykata theksoi se shtetet që nuk hartojnë plane ambicioze për të luftuar ndryshimet klimatike janë në shkelje të marrëveshjes së Parisit, ndërsa shtoi se detyrimi për të mbrojtur klimën buron edhe nga ligji ndërkombëtar, pavarësisht nëse një vend është palë apo jo në marrëveshje.
Ky opinion u kërkua nga një grup studentësh nga Vanuatu dhe u mbështet nga dhjetëra vende në zhvillim të zhgënjyera nga mungesa e progresit global. Ai i hap rrugë kërkesave për dëmshpërblim për pasoja konkrete si stuhitë ekstreme, shkatërrimi i infrastrukturës dhe zhvendosja e komuniteteve.
Gjykata po ashtu vlerësoi se shtetet mund të jenë përgjegjëse për ndikimet klimatike të kompanive që operojnë brenda territorit të tyre, duke përfshirë subvencionet për karburantet fosile apo dhënien e licencave të reja për nxjerrjen e naftës dhe gazit.
Ekspertët ligjorë parashikojnë që ky vendim do të ndikojë në praktikat gjyqësore në të gjithë botën dhe do të forcojë kërkesat për drejtësi klimatike.