
Në kuadër të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, në Kuvend u zhvillua një tryezë konsultimi për projektligjin “Për financimin e partive politike”. Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile, ekspertë dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët ofruan propozime mbi përmirësimin e kuadrit ligjor aktual.
Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, theksoi rëndësinë e kësaj reforme në kuadër të detyrimeve të integrimit europian dhe tha se pritet një vendimmarrje në shtator nëse do të hartohet një ligj i ri apo do të amendohet ai ekzistues. Ai deklaroi:
“Ne nuk kemi ende një draft. Kemi një kornizë fillestare dhe po mbledhim inputet për të vendosur rrugën më të përshtatshme.”
Ekspertja e grupit të nivelit të lartë, prof. Nadia Rusi, vuri në dukje mbivendosjen e rregullave aktuale dhe nevojën për qartësi institucionale, duke sjellë si shembull praktikat europiane ku financimi monitorohet nga trupa të pavarura me fokus antikorrupsionin.
Vildan Plepi nga Instituti Demokratik Amerikan, Kristaq Kume nga Instituti për Zhvillimin e Sistemit Zgjedhor dhe Afrim Krasniqi nga Instituti për Studime Politike mbështetën idenë e një ligji të posaçëm, duke e konsideruar më të efektshëm për të garantuar transparencën dhe për të adresuar informalitetin.
Valbona Kuko nga Fondacioni Westminster për Demokraci theksoi mungesën e strukturave financiare në partitë politike, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, ndërsa Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kërkoi përfshirje më të madhe të kandidatëve të pavarur dhe partive të vogla në fondet publike.
Arianita Brahaj nga Open Data Albania sugjeroi modelin e Kosovës si bazë të mirë për përshtatje, ndërsa Armela Krasniqi, kryetare e AMA-s, theksoi rëndësinë e rregullimit të fushatave online, bazuar në Aktin Europian për Lirinë e Medias dhe Aktin për Shërbimet Dixhitale.
Në përfundim, Xhafaj u shpreh se hapat e mëtejshëm do të ndërmerren me konsensus të gjerë dhe në përputhje me pritshmëritë e BE-së.