
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është ftuar nga presidenti kinez Xi Jinping për të vizituar Pekinin dhe se “mund të udhëtoj së shpejti në Kinë”. Ai shtoi se është ftuar nga “shumë njerëz” dhe se do të marrë vendime për këto udhëtime në një të ardhme të afërt, përcjell YNetNews.
Deklarata vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, ku Trump ka paralajmëruar disa herë vendosjen e tarifave të larta mbi produktet kineze.
Në vitet e fundit, marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë përshkallëzuar ndjeshëm për shkak të një lufte tarifore të iniciuar gjatë presidencës së Donald Trump.
SHBA vendosi tarifa të larta mbi qindra miliarda dollarë mallra kineze, me qëllim uljen e deficitit tregtar dhe adresimin e praktikave të padrejta tregtare të pretenduara ndaj Kinës.
Si kundërpërgjigje, Kina vendosi tarifa mbi mallrat amerikane. Këto masa ndikuan në zinxhirët globalë të furnizimit dhe rritën pasigurinë ekonomike, ndërsa përpjekjet për një marrëveshje afatgjatë kanë mbetur të brishta edhe pas përfundimit të mandatit të Trump.