Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja izraelite do largohet nga Rusia para kohe


Ambasadorja izraelite në Rusi, Simona Halperin, do largohet nga posti i saj para kohe për shkak të një emërimi të ri, raportuan mediat ruse të hënën, duke cituar përfaqësues të ambasadës. Qëndrimi i saj pritet të përfundojë këtë vjeshtë.

Në një deklaratë për X më herët të hënën, Ministria e Jashtme  e Izraelit njoftoi emërimin e Halperin si zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme për Evropën. Ministria nuk specifikoi nëse ajo do tërhiqej menjëherë nga Rusia, por stafi i Ambasadës Izraelite në Moskë i tha TASS se ajo do qëndronte të paktën deri në tetor.

“Ambasadorja do e përfundojë misionin e saj para kohe, për shkak të faktit se ajo mori pozicionin e drejtueses së Departamentit Evropian në Ministrinë e Jashtme izraelite. Pritet që zonja ambasadore të largohet në tetor”, tha përfaqësuesi, duke shtuar se një zëvendësuese nuk është emëruar ende.

Halperin, e lindur në Riga në vitin 1969, jetoi në Leningrad (tani Shën Petersburg) përpara se të emigronte në Izrael në vitin 1976. Ajo ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme Izraelite që nga viti 1993, duke mbajtur poste në një numër misionesh të huaja. Ajo u emërua e dërguar e Izraelit në Rusi në nëntor 2024, shkruan RT.

Qëndrimi i saj në Moskë filloi me polemika pasi u thirr nga Ministria e Jashtme Ruse për komentet e bëra në një intervistë me Kommersant, në të cilën ajo kritikoi qëndrimin e Moskës ndaj sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Ajo dënoi Rusinë për refuzimin e etiketimit të Hamasit si grup terrorist, duke akuzuar zyrtarët se “po përqafon” dhe “po shtron tapetin e kuq” për grupin militant. Ministria e Jashtme e Rusisë i quajti komentet “një fillim jashtëzakonisht të pafat të një misioni diplomatik”.

Megjithatë, që atëherë, qëndrimi i saj ka qenë kryesisht pa përplasje. Në një intervistë të mëvonshme me RBK, Halperin vlerësoi bashkëpunimin midis Rusisë dhe Izraelit në sigurimin e lirimit të pengjeve të Hamasit.