
Shërbimet e sigurisë të Ukrainës kanë arrestuar një zyrtar nga një njësit kryesor kundër korrupsionit, nën akuza se ka spiunuar për Rusinë, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Edhe pse Ukraina dhe Rusia kanë arrestuar dhjetëra spiunë të dyshuar gjatë luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022, rastet e spiunazhit brenda agjencive qeveritare janë të rralla.
“Një punonjës i zyrës qendrore të NABU-s [Byrosë Kombëtare të Ukrainës kundër Korrupsionit] është arrestuar”, tha shërbimi i sigurisë, SBU.
“Ai ka punuar në njësinë më elite, D-2 dhe ka spiunuar për shërbimet e posaçme ruse”, u tha në njoftim, ku nuk u publikua emri i zyrtarit të arrestuar.
Më herët, SBU-ja kreu bastisje në zyrat e NABU-s dhe në zyrën e prokurorëve të specializuar kundër korrupsionit.
NABU njoftoi se po zhvillon një “rishikim të brendshëm” dhe po “heton bazën ligjore të veprimeve të ndërmarra, përfshirë përdorimin e forcës ndaj një punonjësi”.
Kjo byro shtoi se më parë kishte kryer një hetim së bashku me SBU-në, i cili nuk kishte gjetur “asnjë provë” për të mbështetur akuzat kundër tij.
“Nuk ka prova që zyrtari në fjalë të ketë qenë i përfshirë në aktivitete kundër shtetit”, deklaroi NABU.
SBU-ja, ndërkohë, ka pretenduar se i dyshuari ka dërguar informacione të klasifikuara te një zëvendësshef i sigurisë së ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovich, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 2014 dhe tani jeton në Rusi.
Një video e publikuar nga SBU-ja tregon persona të armatosur me uniforma kamuflazhi duke e nxjerrë të dyshuarin me forcë nga një veturë, duke e shtyrë përtokë dhe duke e prangosur.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me deri në 15 vjet burg.
NABU u krijua pas revolucionit proevropian të vitit 2014, si pjesë e reformave që synonin ta afronin Kievin me Evropën, në një kohë kur vendi po përballej me separatistët e mbështetur nga Moska në lindje.