Vendosni fjalën kyçe....

Dhunuan 46-vjeçarin në Ksamil, pranga 3 personave


Tre persona janë arrestuar lidhur me një sherrtë ndodhur ditën e djeshme në Ksamil.

Në pranga kanë rënë 43-vjeçari A.T., banues në Berat, 18-vjeçari S.S. banues në Dibër dhe 35-vjeçari A.Z. banues në Durrës.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhunuan në Ksamil 46-vjeçarin Albert Pashaj.

Njoftimi

“Dhunuan me sende të forta, gjatë një konflikti për motive të dobëta, një 46-vjeçar, vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 17-vjeçar.

Procedohet penalisht edhe bashkëshortja e 46-vjeçarit të dëmtuar, pasi shkaktoi dëme materiale në “beach bar”-in e njërit prej të arrestuarve.

Në vijim të zbardhjes së plotë të rrethanave të konfliktit të ndodhur ditën e djeshme, në Ksamil, dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit

A. T., 43 vjeç, banues në Berat, S. S., 18 vjeç, banues në Dibër dhe A. Z., 35 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një shtetas i mitur, 17 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, shtetasin A. P., 46 vjeç, banues në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Gjithashtu, lidhur me këtë ngjarje, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe nisi procedimi penal për shtetasen O. P., 40 vjeçe, pasi pas konfliktit kjo shtetase ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në “beach bar”-in e shtetasit të arrestuar A. T.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.”