Vendosni fjalën kyçe....

Vorë/ Produkte të skaduara rietiketoheshin dhe rihidheshin në treg, dy të arrestuar dhe dy të proceduar


Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Siguria Ushqimore”, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e tregtimit të produkteve ushqimore të skaduara.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7.

Gjatë operacionit u zbulua një magazinë në zonën e Vorës, ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara dhe këto produkte rihidheshin në treg si të sigurta për konsum. S

ubjekti në fjalë kishte aktivitet në fushën e import-eksportit dhe tregtimit të produkteve industriale dhe ushqimore, duke grumbulluar mallra të skaduara nga tregjet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Në përfundim të hetimeve:

U arrestuan në flagrancë administratori i magazinës, F. D., 38 vjeç dhe magazinieri, A. D., 58 vjeç.

U proceduan penalisht ortaku i subjektit, S. T., 56 vjeç dhe shoferi, A. D., 36 vjeç.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 716 koli dhe dhjetëra kilogramë produkte ushqimore të përpunuara, të cilave u ishte falsifikuar data e skadencës.

Produktet kishin skaduar që në janar dhe shkurt 2025 dhe ishin destinuar të rihidheshin në treg në kundërshtim me rregullat e sigurisë ushqimore dhe pa dokumentacion tatimor.

Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë në dorë materialet procedurale për vijimin e hetimeve për veprat penale:

“Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”

“Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”

“Fshehja e të ardhurave”

“Mospagimi i taksave dhe tatimeve”

“Punësim i paligjshëm”

“Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të ngjashëm abuzimi me sigurinë ushqimore në numrin pa pagesë 112 ose nëpërmjet aplikacionit “Komisariati Dixhital”, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të menjëhershëm.