
Policia greke ka arrestuar pesë persona për vrasjen e një profesori të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, i cili u qëllua për vdekje në një periferi të Athinës më herët gjatë korrikut, tha policia.
Ish-gruaja e profesorit, e cila ka mohuar çdo krim, partneri i saj grek dhe tre persona të tjerë – një shtetas bullgar dhe dy shtetas shqiptarë – u arrestuan të mërkurën në mbrëmje për krimin, tha një zyrtar i policisë të enjten.
Partneri i gruas rrëfeu se qëlloi akademikun, një shtetas polak 43-vjeçar, sipas zyrtarit. Pjesa tjetër e të ndaluarve akuzohet se e kanë ndihmuar atë. Arma e përdorur në vrasje nuk është gjetur.
Autoritetet greke nuk kanë publikuar emrat e individëve të dyshuar se janë përfshirë në incident.
Profesori u qëllua në gjoks dhe shpinë më 4 korrik, në periferinë verilindore të Agia Paraskevi, sipas një dokumenti konfidencial të policisë të parë nga Reuters.
Policia më vonë gjeti gjashtë gëzhoja plumbash dhe një fishek pushke në vendin e ngjarjes, tha dokumenti. Disa nga të dyshuarit u arratisën me një makinë luksoze, sipas pamjeve video të mbledhura nga policia si pjesë e hetimit. Ata u ndaluan më vonë nga policia duke vepruar në bazë të urdhër-arresteve.