
Zëdhënësi i krahut ushtarak të Hamasit, Abu Obeida, deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar një propozim të Hamasit për lirimin e të gjithë pengjeve.
Në një deklaratë të regjistruar – të parën që nga 6 marsi i këtij viti – Abu Obeida paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje armëpushimi gjatë negociatave aktuale, Hamas nuk është i detyruar të pranojë marrëveshje të pjesshme në të ardhmen, përcjell YNetNews.
Gjatë muajve të fundit, janë bërë disa përpjekje ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, të cilat përfshinin gjithashtu lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza. Propozimet e mëparshme, të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe SHBA, kanë parashikuar një armëpushim me disa faza, lirimin gradual të pengjeve izraelitë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, si dhe zgjerimin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.
Megjithatë, negociatat kanë hasur në ngërç për shkak të mosmarrëveshjeve mbi rendin e hapave, numrin e të liruarve dhe garancitë për përfundimin e luftës. Refuzimi i fundit i Netanyahut, sipas Hamasit, lidhet pikërisht me një propozim për lirimin e plotë të pengjeve në këmbim të përfundimit të luftimeve, gjë që Tel Avivi e ka refuzuar duke këmbëngulur në asgjësimin e plotë të Hamasit para çdo marrëveshjeje përfundimtare.