Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku dhe deputeti gjerman Peter Beyer: Ballkani Perëndimor ka nevojë për reforma të thella për integrimin në BE



Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe Peter Beyer, drejtues i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun Gjerman (CDU), kanë publikuar një editorial të përbashkët në gazetën gjermane
Frankfurter Rundschau, ku analizojnë sfidat dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Në shkrimin e tyre, ata theksojnë se negociatat për anëtarësim duhet të përkthehen në reforma të prekshme, me ndikim real në jetën e qytetarëve të vendeve të rajonit. Autorët vënë theksin tek rëndësia e forcimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor, llogaridhënies politike, si dhe te nevoja për zgjedhje të lira dhe të ndershme si kusht bazë për avancimin drejt BE-së.

Sipas tyre, integrimi europian nuk mund të ecë përpara në mungesë të mediave të pavarura, qeverisjes së mirë, dhe respektimit të vendimeve gjyqësore. Po ashtu, editoriali nënvizon nevojën për përfshirje gjithëpërfshirëse politike dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Tabaku dhe Beyer përmendin edhe rolin e Gjermanisë, duke kujtuar se iniciativa si Procesi i Berlinit kanë qenë shtytëse për dialogun dhe bashkëpunimin rajonal. Ata bëjnë apel për një angazhim më të madh politik nga BE dhe vendet anëtare, veçanërisht për të rritur rolin e parlamenteve kombëtare në procesin e reformave.

Editoriali synon të sjellë vëmendjen mbi rëndësinë e veprimeve konkrete dhe jo vetëm të retorikës politike, në funksion të përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.