Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i burrave në Theth: “Kullat i kemi mbrojtur me gjak”. Duam dialog me qeverinë


Banorët e Thethit kanë organizuan një Kuvend para kishës së fshatit, ku kërkuan ndalimin e aksionit dhe nisjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me autoritetet, pas gati një jave tashmë nga aksioni i nisur për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Në këtë tubim mori pjesë edhe Zef Vladi, banor i Shalës, i cili theksoi rëndësinë historike dhe kulturore të kullave të zonës, duke kujtuar se ato janë ndërtuar me sakrifica dhe janë “mbrojtur me gjak”. Ai e quajti të paarsyeshme prishjen e tyre dhe kërkoi hapjen e një rruge dialogu me qeverinë.

“I kam bërë thirrje qeverisë që të ndalojë aksionin, sepse nuk është e arsyeshme. Ne e dimë që disa ndërtime kanë pasur gabime dhe nuk duhej të ishin lejuar, por ato janë ndërtuar me mundin dhe sakrificat tona. Këto shtëpi janë më shumë se thjesht objekte, ato janë pjesë e historisë sonë, të mbrojtura me djersë e gjak”, tha Vladi.

Ai theksoi se protestës i parapriu një mbledhje tradicionale në formën e një kuvendi burrash, dhe se kërkesa e vetme e banorëve është një mundësi për të zhvilluar bisedime konstruktive me qeverinë, jo përballje me fadroma.

Në fjalën e tij, Vladi shprehu edhe solidaritetin e banorëve të Thethit me komunitete të tjera si Dajti, Puka dhe Dukagjini, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre dhe kanë kërkuar respektimin e të drejtave të banorëve vendas.

Duke e krahasuar situatën me kohët e luftës në Kosovë, ai theksoi se shqiptarët gjithnjë kanë mbrojtur tokën dhe trashëgiminë e tyre kulturore: “Ne jemi ata që kemi mbrojtur këtë tokë. Ata janë bërë me djersë dhe mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme që tani dikush të hyjë dhe të shkatërrojë. Duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Jemi vëllezër, duhet të gjejmë një zgjidhje paqësore.”

Banorët theksuan se janë të gatshëm për bashkëpunim me institucionet, por jo për të lejuar, sipas tyre, fshirjen e pasurisë dhe identitetit të tyre kulturor përmes një veprimi të njëanshëm dhe pa konsultim.