
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mëngjes në qytetin Traiskirchen, rreth 32 kilometra në jug të Vjenës, ku një burrë u vra me armë zjarri dhe një grua mbeti e plagosur rëndë nga një person i cili më pas i dha fund jetës.
Policia austriake bëri të ditur se autori i dyshuar i krimit u largua nga vendi i ngjarjes me një automjet dhe më pas kreu vetëvrasje.
Viktima femër u transportua me helikopter drejt një spitali në Vjenë dhe ndodhet në gjendje të rëndë, sipas AP.
Zëdhënësi i policisë lokale, Johann Baumschlager, tha për agjencinë austriake të lajmeve se hetimet po kryhen nga Zyra Shtetërore për Hetime Kriminale e Austrisë së Poshtme, por nuk janë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi motivin e ngjarjes.
Sipas raportimeve të mediave vendase, ngjarjes i ka paraprirë një debat mes tre personave të përfshirë. Autoritetet janë ende duke mbledhur informacione për të hedhur dritë mbi rrethanat e plota të incidentit.